• Shqip
  • English
  • E diel, 22 Shtator 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Të gjitha

    Foto/ Punimet tek Unaza e Madhe, Balluku: Brenda tetorit do zgjidhet problemi i shpronësimeve


    “Besoj që brenda muajit tetor do t’i jepet një zgjidhje e mirëfilltë të gjitha proceseve të shpronësimeve që ne kemi dhe atyre që do të vijnë pasi siç e dimë, të gjitha projektet e reja që ne hapim kanë gjithmonë një pjesë të madhe dhe të rëndësishme që ka të bëjë me shpronësimet si nga ana e buxhetit ashtu edhe nga ana e procedurave legale që krijojnë vonesa. Por ne tashmë kemi nisur një proces brenda qeverisë me disa nga aktorët dhe ministritë e përfshira për t’a zgjidhur këtë problem një herë e mirë dhe afatgjatë, kështu që kjo është shumë e rëndësishme”.

    Këtë tha ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë teksa ndodhej bashkë me drejtoreshën e ARRSH-së Sonila Qato për të inspektuar punimet për ndërtimin e Unazës së madhe të Tiranës, për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve me zgjidhjen e problemit të trafikut por edhe rikualifikimin e zonave pranë të cilave kalon. Ajo foli për problematikat e hasura me proceset e shpronësimeve, ku sipas së saj zgjidhja mund të vijë në tetor.

    Gjatë inspektimit, drejtoresha e ARRSH-së Sonila Qato tha:

    “Ecuria e punimeve në këtë pjesë të kantierit në Unazën Lindore të Jashtme të Tiranës është e kënaqshme. Gjatë periudhës së fundit, sidomos të verës, kompania ka punuar me cilësi edhe me ritëm të lartë të punimeve. Edhe pse kemi pasur problematikat e shpronësimit në disa pika kryesore të projektit ka vazhduar puna në pjesë të tjera të cilat janë të lira dhe front pune. Ndërkohë ARRSH-ja është duke punuar për të realizuar edhe marrjen e vendimit të qeverisë për shpronësimin e të gjithë këtyre banorëve”, bëri të ditur drejtoresha Qato.

    Ndërsa ministrja Balluku u shpreh se ndërtimi nuk është thjesht një investim i cili do të bëjë të mundur lehtësimin e qarkullimit për automjetet por projekti përfshinë një sërë komponentësh duke parashikuar një rikualifikim të gjithë zonës pasi do të ketë hapësirë të dedikuar për qytetarët, trotuar, ndërsa një pjesë tjetër e rëndësishme është ajo e sistemimit të lumit Lana e cila prej vitesh ka qenë një shqetësim i madh për banorët e kësaj zone.

    Ministrja tha:

    “Është shumë e rëndësishme që këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me një rrugë për automjetet por kjo është një zonë që rikualifikohet e gjitha. Kemi sistemimin e shtratit të Lanës, krijohet një pjesë për këmbësorët, pra trotuaret janë një pjesë e rëndësishme e projektit dhe kjo nuk është thjesht një rrugë për t’u aksesuar nga automjetet por do jetë një pikë ku të gjithë banorët e zonës po dhe banorë nga zona të tjera mund ta aksesojnë”.

    Bazuar në projekt,  në pjesën Lindore të Unazës së Madhe të Tiranës projekti parashikon hapësira të gjelbërta, trotuare, sistemimin e shtratit të Lanës si dhe ndërtimin e 5 vepra të artit./ Tiranapost.al. E.B

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690