Art dhe Kulturë

FOTO/ Prezantohet drejtoresha e re e Arkivit të Filmit. Kumbaro: Kjo do të jetë detyra jote kryesore

Regjisorja Iris Elezi do të jetë nga sot, drejtoresha e re e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Prezantimi i saj është bërë këtë të mërkurë, nga Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.

Në fjalën e saj, Kumbaro e vuri theksin tek rëndësia që AQSHF ka në afrimin e filmit me publikun dhe anasjellta. Sipas Kumbaros, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit nuk e ka plotësuar sa duhet rolin e tij për t'i folur publikut.

Ndaj ajo kërkoi nga Drejtoresha e re që qasja e këtij institucioni të nisë pikërisht nga raporti i filmit me publikun e gjerë.

“Ka një rol që arkivi nuk e ka plotësuar sa duhet: është roli që duhet t’i flasë publikut dhe për këtë kërkon energji, dëshirë dhe organizim. Dhe ky do të jetë aksioni  i ri  i Arkivit të Filmit. Në këtë mandat AQSHF do të jetë një ndër institucionet qendrore dhe prioritar për Ministrinë e Kulturës”,- tha Kumbaro.

“Synimi ynë është që edhe në kuadër të programit kombëtar “Edukimi përmes kulturës”, Arkivi të jetë një institucion  i rëndësishëm për të sotmen dhe për të ardhmen dhe mbi të gjitha, duhet që të jetë  jo  thjesht një material raftesh, por duhet të jetë një material  i gjallë. Ne sot nuk e kemi në pikturën kulturore të Tiranës Arkivin si  një institucion të gjallë ku duhet të tërheqim grupmosha të ndryshme. Ndaj jemi ne që duhet të bëhemi mjaftueshëm atraktiv, mjaftueshëm interesant, mjaftueshëm provokues për të tërhequr publikun. Që nga ky moment duhet të jetë arkivi që duhet të lëvizë, ku në kuadër edhe të programit të edukimit, por edhe pse kujtesa për ne bëhet gjithnjë e më e rëndësishme dhe unë besoj shumë fort në këtë periudhë,  që kujtesa bëhet e rëndësishme dhe e besueshme përmes objekteve, përmes fakteve, jo gjithmonë vetëm përmes dëshmive. Vendet ku kanë ndodhur gjërat, fotografitë, faktet ndonjëherë flasin shumë më tepër sesa njerëzit. Ndaj Arkivi është një thesar ku imazhet duhet të flasin”, theksoi ministrja Kumbaro.

Ndërsa drejtoresha e re e këtij institucioni, u zotua se në fokusin kryesor të saj do të jetë ruajtja dhe përhapja e kinematografisë kombëtare edhe tek brezat e ardhshëm.

"Që kinemaja shqiptare të mos jetë vetëm një fosnotë apo informatë plotësonjëse në kronikën e kinematografisë botërore, ne duhet të promovojmë dhe të ruajmë të sigurt të gjithë koleksionin e filmit artistik, atij dokumentar dhe të animuar, në të ardhmen. Kam besim në vizionin dhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës sepse kam parë shembuj të arkivave që kanë gjetur zgjidhje për të ngadalësuar zhdukjen e imazhit filmik në Danimarkë, Hollandë edhe akoma më afër nesh, si në vendet fqinje Slloveni & Maqedoni. Mbi të gjitha e gjej shpresën kur shoh këtu në hapësirën e dikurshme të Kinostudios profesionistët që punuan dhe na ndryshuan jetën nëpërmjet imazheve të ruajtura brenda këtyre mureve", tha Elezi.

Drejtoresha e re e AQSHF-së, regjisorja Iris Elez i u zgjodh në krye të këtij institucioni pas konkursit të shpallur nga Ministria e Kulturës. E.C/ Copyright TiranaPost.al