• Shqip
  • English
  • E hënë, 24 Qershor 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet My Tirana Të gjitha

    Foto/ Nisu për në Sheshin “Skënderbej”. Hapet panairi 3-ditor i produkteve vendase të Tiranës


    “Sot tregu ka ardhur tek sheshi, edhe pse kemi disa tregje shumë të mira si Pazari i Ri apo tregjet e hapura nëpër lagje, por unë besoj se vetëm kur e sjellim në qendër të qytetit bujqësinë, do të thotë se e kemi seriozisht këtë punë, tregojmë që në sheshin tonë kryesor i kushtojmë tre ditë të gjithë atyre që jetojnë me djersë, ndershmëri, duke punuar tokën, duke punuar fermat e tyre, që sot është një realitet krejt tjetër në Tiranë”

    Produkteve vendase dhe agroturizmi po zënë gjithnjë e më shumë vend të veçantë në ekonominë e Tiranës. Shumë biznese të vogla nga fshatrat e Tiranës, që i janë kushtuar më së shumti zhvillimit të agroturizmit me bazë produktet bio të zonave periferike, ekspozuan sot produktet e tyre në panairin vendor të bujqësisë: “Shijo Produktet Lokale të Tiranës” në sheshin “Skënderbej”.

    Gjatë vizitës nëpër stenda, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se hapja e këtij panairi kushtuar produkteve bujqësore dhe blegtorale, tregon vëmendjen e Bashkisë së Tiranës për ekonominë lokale. “Sot tregu ka ardhur tek sheshi, edhe pse kemi disa tregje shumë të mira si Pazari i Ri apo tregjet e hapura nëpër lagje, por unë besoj se vetëm kur e sjellim në qendër të qytetit bujqësinë, do të thotë se e kemi seriozisht këtë punë, tregojmë që në sheshin tonë kryesor i kushtojmë tre ditë të gjithë atyre që jetojnë me djersë, ndershmëri, duke punuar tokën, duke punuar fermat e tyre, që sot është një realitet krejt tjetër në Tiranë”, tha Veliaj.

    Duke sjellë në vëmendje të dhënat më të fundit të INSTAT-it, Veliaj shtoi se Bashkia e Tiranës është motori i ekonomisë së vendit. “Nuk ka treg më të madh se sa Tirana! Një nga arsyet pse e kemi sjellë sot në zemër të qytetit tregun agro-ushqimor është që të kuptojmë se duke mbajtur lekun në ekonomi, rritet ekonomia. Para një jave dolën shifrat e INSTAT-it, që konfirmojnë Bankën Botërore dhe FMN, se Shqipëria po rritet ekonomikisht 4.5-5%. Ama, lajm akoma më i mirë ishte se Qarku i Tiranës po rritet me 8.5%, kurse lajmi i mirë fare është se Bashkia e Tiranës rritet me mbi 10%. Nuk ka asnjë dyshim se Bashkia e Tiranës është motori i ekonomisë, por nëse është motori i ekonomisë për të gjitha fushat, nuk ka asnjë arsye pse të mos jetë motori edhe i ekonomisë bujqësore dhe fermave”, nënvizoi Veliaj, teksa siguroi se bujqësia dhe agroturizmi do të marrin një vëmendje të shtuar.

    Fokusi i punës së Bashkisë së Tiranës në këto katër vite ka qenë edhe përmirësimi i infrastrukturës dhe i shërbimeve në zonat rurale. Këto rrugë, jo vetëm kanë lehtësuar lëvizjen e automjeteve, por në të njëjtën kohë kanë afruar edhe më shumë banorët që tregtojnë produktet bujqësore të zonës me tregjet e Tiranës. Përmirësimi i infrastrukturës rrugore në zonat rurale, shoqërohet me rritje dhe diversifikim të prodhimit bujqësor, që në periudhë afatgjatë rrit të ardhurat dhe përmirëson cilësinë e jetës së banorëve të këtyre zonave.

    Për t’u ardhur në ndihmë fermerëve, Këshilli Bashkiak i Tiranës mori vendimin për të thyer monopolin e tregut të shumicës. Ndryshe nga shumë vite më parë, tashmë fermerët do të mund të tregtojnë produktet e tyre në tregje që plotësojnë të gjithë standardet. “Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak morëm vendimin për ta thyer monopolin e tregut të shumicës në Kashar. Nuk mund të kemi një monopol ku çdo fermer i yni duhet të paguajë një taksë shumë të lartë që të hyjë te një privat, që e kishte nga ish-qeveria e kaluar. Kemi vendosur që bashkia, në anën tjetër të qytetit, në zonën e Farkës dhe të Lundrës, të hapim një treg agro-ushqimor të shumicës, për t’i thënë njerëzve që ke dy mundësi: tregun e shtetit dhe atë të privatit. Ndodh që në Bashkinë e Tiranës e bëjmë më mirë dhe më lirë të njëjtën punë që privati e bën shumë më shtrenjtë”, theksoi Veliaj.

    Veliaj u kërkoi prej fermerëve që të përfitojnë nga programet e ndryshme të AZHBR-së për mbështetjen e ekonomike lokale për të zgjeruar më tej ekonominë e tyre. “Dua t’i inkurajoj të gjithë, kush i ka mundësitë, kush ka një shtëpi në katund, mund të aplikojë te AZHBR-ja. Ju ftoj juve që jeni në Tiranë të shkojmë aty dhe të shohim mundësinë, nëse është për një serë, ambalazhim, nëse është për një mini fermë, fabrikë vaji ulliri, nëse është për disa krerë bagëti”, tha Veliaj. Kryebashkiaku iu drejtua me një thirrje edhe agjencive turistike që të orientojnë vizitorët edhe në zonat rurale, ku mund të konsumojnë produktet vendase.

    Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka vlerësoi kryebashkiakun Veliaj dhe Bashkinë e Tiranë për energjinë që i jep zhvillimit ekonomik të qytetit. Jaka theksoi se falë vëmendjes së Bashkisë së Tiranës dhe reformave të ndërmarra, sidomos për zonat rurale, është tejkaluar çdo lloj pritshmërie. “Bashkëpunimi me bashkinë është një kënaqësi e veçantë për Dhomën e Tregtisë, por jam i bindur se është kënaqësi dhe për të gjithë ekspozitorët që e shohin si mundësi reale për prezantimin e punës së tyre. Jam i bindur që reformat që kryetari i Bashkisë së Tiranës po ndërmerr, sidomos për zonat rurale, do të kenë sukses që do të tejkalojë edhe pritshmëritë tona duke orientuar zhvillimin ekonomik rural të Tiranës drejt një ekonomie smart. Do të doja të falenderoja në mënyrë të veçantë bashkinë dhe kryetarin e bashkisë për këtë energji që i jep zhvillimit ekonomi të Tiranës”, theksoi Jaka.

    Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca, vlerësoi se Bashkia Tiranë ka një rol të rëndësishëm në mbështetje të agroturizmit shqiptar. Krifca foli për politikat që po ndiqen aktualisht me bujqësinë shqiptare, si nga Ministria e Bujqësisë ashtu dhe nga Bashkia Tiranë./ Tiranapost.al. E.B