Qyteti

Veliaj i kthehet zakonit të vjetër!

Veliaj i kthehet zakonit të vjetër!

Të dyja anët e lumit të Lanës përgjatë segmentit nga Materniteti i Ri deri në Shkozë, do të kthehen në një minipark linear me mbi 3 mijë pemë. Bashkia e Tiranës ka rinisur nga ky segment, për vitin e katërt radhazi, aksionin e mbjelljeve për krijimin e Pyllit Orbital.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar nga deputetja e PS, Klotilda Bushka, iu bashkua sot aksionit për mbjelljen e 100 pemëve në këtë pjesë të qytetit.

“Kur fillon aksioni i mbjelljeve në Tiranë është një ditë shumë e lumtur. E nisim nga Njësia 3, me një super-projekt, për ta kthyer Lanën në një park linear, njësoj si me pjesën tjetër të lumit, Lanën e vjetër. Kjo është Lana e re, nga Materniteti i Ri dhe mbaron në Shkozë, një projekt si çdo projekt i bukur në Shqipëri që kontestohet, që ka debate. Mjafton vetëm ta shikojmë tani që janë mbjellë qindra pemët e para dhe sesi ky segment i parë është shndërruar në një bahçe me lule, sesi korsitë në të dyja anët e Lanës së Re i kanë shtuar vlerën pronës, ka sjellë zhvillim, po hapen dyqane, restorante etj”, tha Veliaj.

Ai ftoi të gjithë banorët e Tiranës që t’i bashkohen aksionit të mbjelljeve dhe të kontribuojnë për shtimin e gjelbërimit, që edhe këtë vit të thyhet rekordi i vitit të shkuar.

“Ky është një lajm fantastik, ndaj dua t’i ftoj të gjithë banorët të na japin një dorë. 3 mijë pemët e para do t’i mbjellim ne. Janë 3 mijë të parat e një rekordi prej 150 mijë pemësh që duam të thyejmë këtë sezon, për t’u siguruar që kur e filluam procesin e mbjelljes së pemëve, deri në fund të këtij sezoni, të kemi kapur 500.000 pemë”, shtoi Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se ky sezon përkon edhe me 75-vjetorin e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë, ndaj është një moment shumë i mirë që çdokush, sidomos kompanitë apo bizneset e ndryshme, të nderojnë sakrificën e atyre që luftuan dhe dhanë jetën për atdhe, duke mbjellë pemë. “Synimi për këtë vit është pak më i lartë, por kemi edhe shumë sebepe: Kemi 17 nëntorin, pastaj 28-29 nëntorin, festimet për 75-vjetorin e Çlirimit. Është një moment për të kujtuar që, siç u çliruam nga një pushtues, tani duhet të çlirohemi nga të tjerë pushtues, si ndotja e ajrit nga makinat. Për të gjitha këto arsye, qoftë 75-vjetori i Çlirimit, qoftë 100 vjetori i Tiranës kryeqytet, është një arsye për çdo kompani të mbjellë nga 100 pemë; çdo shoqatë, shkollë, fakultet, universitet, të mbjellin nga 100 pemë”, vijoi ai./ Tiranapost.al.