Aktualitet

Foto/ Gjendet i braktisur në Shëngjin jahti i biznesmenit të njohur turk. Mister se ç'mund të ketë ndodhur me 31 vjeçarin

Foto/ Gjendet i braktisur në Shëngjin jahti i biznesmenit të

Jahti luksoz që shihni në foto ka një vlerë prej dy milionë eurosh. Është gjetur i braktisur rreth 12 milje larg bregut të Shëngjinit dhe i përket një biznesmeni turk i cili nuk shfaqet gjëkundi, bashkë me anëtarët e ekuipazhit, nëse ka pasur.

Jahti mban flamurin turk, dhe motori është gjendur i ndezur. Kanë qenë disa peshkatarë të cilët pasi kanë parë jahtin e braktisur dhe asnjë person brenda, kanë njoftuar Rojën Bregdetare. Ata mbërritën tek vendi ku ndodhej jahti duke e rimorkuar dhe ankoruar në Portin e Shëngjinit. Brenda jahtit 13 metër të gjatë, siç raporton Panorama janë gjetur dokumentacioni i rregullt dhe një pasaportë me emrin e biznesmenit turk, Sevgin Yavuz, i moshës 31 vjeç. ( Nuk ka foto të publikuara).

Mbetet mister fakti se biznesmeni turk ende nuk po gjendet, ai kishte ardhur për pushime në Adriatik dhe nuk dihet se si ka përfunduar jahti 12 milje larg bregut të Shëngjinit, e ndërsa siç mësohet është nisur nga porti i Tivarit në Malin e Zi.

Dyshimet janë se shtetasi turk mund të jetë hedhur në det për të notuar dhe nuk ka mundur të dalë, por nuk përjashtohet mundësia edhe për ndonjë ngjarje kriminale si grabitja me vrasje. Policia po bashkëpunon me autoritetet në Mal të Zi dhe Turqi për të mësuar më shumë se çfarë mund të ketë ndodhur. Ndërkohë, një punonjës në portin e Shëngjinit ka treguar pranë autoriteteve:

“Ka qenë një peshkarexhë peshkimi, e cila ka pikasur jahtin në det të hapur. Ata kanë qëndruar tre orë duke peshkuar dhe kanë parë që jahti nuk po lëvizte. Peshkarexha është afruar dhe ka parë që jahti ishte i ndezur dhe nuk kishte persona brenda. Menjëherë kanë njoftuar Policinë Kufitare dhe kanë shkuar për ta rimorkiuar dhe sjellë këtu në port. Mbetet mister fati i pronarit, se nuk dihet çfarë mund të jetë bërë në mes të detit. Aty mund t’i kenë marrë peng dhe vrarë, nuk ka shpjegim tjetër. Nuk kishte ndodhur më parë diçka e tillë. Këtu vijnë shpesh jahte luksoze dhe ankorohen në port dhe kryesisht lëvizin të vetëm”. Hetimet po vijojnë./ Tiranapost.al.