Qyteti

Foto/ Fitoi gjyqin me Albana Vokshin, Veliaj dhuron kompjuterin për shkollën '16 shtatori' në Pezë

Foto/ Fitoi gjyqin me Albana Vokshin, Veliaj dhuron kompjuterin për

Paratë e dëmshpërblimit nga gjyqi i fundit i fituar për shpifje ndaj Partisë Demokratike, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ia dhuroi shkollës “16 shtatori” në Pezë. Ai dhuroi një kompjuter për klasën e informatikës. Veliaj tha se kjo është një dhuratë simbolike, e cila do t’i ndihmojë nxënësit të mësojnë gjuhën e kompjuterit, por nga ana tjetër, është edhe një dëshmi se shpifjet dhe intrigat nuk të çojnë askund.

“Është vlera e një gjyqi të fituar për shpifje. Dua që ky kompjuter apo edhe të tjerë që do të pasojnë, për ta kompletuar klasën e teknologjisë së informacionit në shkollën “16 shtatori” në Pezë, të jenë edhe një dëshmi e një mentaliteti që duhet ndryshuar. Pra, duhet të kuptojmë se nuk ecet përpara me shpifje, me tallje, me intriga, me thashetheme, me llogje apo duke ngrënë fara”, tha ai. Veliaj shtoi se është e nevojshme që energjia negative e kulturës së shpifjes dhe e përfoljes së njerëzve pa fakte, të kthehet nga ves në virtyt, në një produkt si kompjuteri, i cili nesër do të mësojë fëmijët.

“Bota nuk është zhvilluar nga shpifja, por nga puna, nga përpjekjet. Shpresoj shumë që të jetë një kontribut për të futur një kulturë komplet të re. Nëse doni një jetë të suksesshme, por të vështirë, do të duhet që dikujt që shpif t’i tregoni vendin, dhe pastaj të lejoni që puna juaj të flasë më shumë se rrenat dhe shpifjet”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku bëri apel që politika të mos përdoret si instrument për të sulmuar kundërshtarin, por si një mënyrë për t’u fokusuar më shumë tek virtyti. “Pa u marrë me emrat e përveçëm sesi mbërritën tek ky gjyq, edhe si fituam, dua që parimi të jetë më i rëndësishëm sesa emrat. Emrat nuk kanë rëndësi. Në mos ajo, e bën dikush tjetër, sepse ia kërkon partia. Por, dua që politika të mos na shpërfytyrojë si njerëz. Ne kemi bindjet tona, mund të jemi të majtë dhe të djathtë, kjo nuk është një arsye të nisim topat e baltës kundër një shqiptari tjetër, kundër një kolegu. Shpresa ime është që të mos fokusohemi tek vesi, por tek virtyti”, tha ai.

Si një nga shkollat që ka pësuar më shumë progres edhe në Kartën e Performancës, kryebashkiaku dha lajmin e mirë se shumë prej nxënësve të shkollës “16 shtatori” në Pezë, do të mund të ndjekin edhe kurset që do të zhvillohen tek Piramida. “Edhe në fshat po ndodhin histori të bukura frymëzuese, që datojnë nga koha e Konferencës së Pezës, e më mbush me shumë entuziazëm, me shumë optimizëm, edhe mezi pres që shkolla të fillojë dhe të përpilojë listat me nxënësit më të talentuar për ta kthyer rininë e Tiranës në kontigjentin jo të farave apo të kafeve, por në kontigjentin e teknologjisë së informacionit, që nesër kanë punën më të garantuar se ndoshta çdo talent tjetër”, deklaroi Veliaj.

Zv. Drejtoresha e shkollës “16 shtatori” në Pezë, Adelina Azizaj falenderoi kryebashkiakun Veliaj për kontributin për laboratorin e informatikës. “Jemi shumë të kënaqur për këtë dhuratë. Jam e sigurt që nxënësit do ta mirëpresin, do të punojnë fort, edhe vërtet që do arrijmë në të ardhmen sukses të garantuar”, u shpreh ajo.

Kryebashkiaku Veliaj ka deklaruar se lekët e dëmshpërblimit për çdo gjyq të fituar për shpifje ndaj përfaqësuesve të opozitës do të shkojnë në “Fondin e Edukimit”, i cili u krijua për të mbështetur çerdhet, kopshtet, bibliotekat e shkollave, nxënësit e mirë të çdo komuniteti, me libra, kompjutera apo materiale mësimore.

Për të gjitha gjyqet e fituara për shpifje me Partinë Demokratike, Veliaj ka ndjekur të njëjtin shembull, duke blerë me paratë e dëmshpërblimit kompjtuera për nxënësit e shkollave të qytetit./ Tiranapost.al. E.B