• Shqip
  • English
  • E mërkurë, 20 Nëntor 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Të gjitha

    Foto/ DRSHTRR në Fier do ketë një godinë të rikonstruktuar: Kushte më të mira pune dhe shërbimi për qytetarët


    Godina e DRSHTRR në Fier do të rikonstruktohet, me mjediset e drejtorisë të cilat do të ndryshojnë. Ky investim vjen për të siguruar kushte më të mira pune për personelin dhe shërbim më të mirë ndaj qytetarëve të zonës. Projekti që ka nisur të zbatohet, përfshin ndërtimin e një shtese anësore të godinës ekzistuese, në 2 kate, si dhe riorganizim i ambienteve ekzistuese. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i DpSHTRR, Blendi Gonxhja panë nga afër punimet e nisura.

    “Drejtoria ishte në kushte të papërshtatshme dhe nuk përballonte dot fluksin e Fierit, si nga pikëpamja e volumit edhe nga pikëpamja e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve, të cilët priteshin në këto sportele. Gjithçka shikoni në katin e parë tashmë ndahet në dy pjesë. Pra drejtuesit e mjeteve do të vijnë në një sallë krejtësisht të re, po ashtu dhe testimi dhe gjithë pjesa e drejtuesit të mjeteve, kualifikimit etj., do të vendosen në një sallë të re në shtesën që po bëhet. Arkiva që ndodhet në katin e dytë të godinës ekzistuese dhe që ishte me rrezik peshe, ndahet dhe vendoset po ashtu në shtesën e re”, tha Drejtori i Përgjithshëm i DPSHTRR.

    Ndërsa ministrja Balluku, duke e konsideruar Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Fier si një ndër më të rëndësishmet në vend, tha se ndërhyrja që po bëhet do i japë zgjidhje për një periudhë afatgjatë shqetësimit të këtyre viteve si për punonjësit e kësaj drejtorie ashtu edhe për drejtuesit e automjeteve.

    Ministrja theksoi se përveç shërbimeve që janë përmirësuar ndjeshëm tashmë duhet të përmirësohen edhe ndërtesat, sistemet, rrjeti dhe gjithçka duhet të informatizohet. “Është e papranueshme që ne të vazhdojmë të punojmë me letra, të cilat sado të kujdesshëm të jemi nuk i ruajmë dot. Arkivat elektronike janë synimi kryesor përsa i përket kësaj pjese”, u shpreh Balluku.

    Balluku kërkoi nga punonjësit përkushtim maksimal në punë edhe gjatë kohës së punimeve.

    “Të gjitha proceset të vazhdojnë pa ndërprerje dhe të mos kemi qytetarë të mërzitur. Proceset nga një herë mund të vështirësohen nga pak për shkak se aty do të ketë punime, por ama gjithçka që po bëjmë sot është për të qenë edhe ju në kushte më të mira, në mjedise më të mira pune, por dhe qytetarët t’i marrin shërbimet në mjedise ashtu siç ju takon”./ Tiranapost.al. E.B

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post