• Shqip
  • English
  • E hënë, 18 Nëntor 2019
  • Shqip
  • English
  • My Tirana Të gjitha

    Foto/ 2500 sportistë për tre kategori garuan në Maratonën e Tiranës, Veliaj: Tirana tregoi qytetari


    Për të katërtin vit radhazi, Tirana priti sot Gjysmë Maratonën e saj, ku morën pjesë më shumë se 2500 vrapues, profesionistë dhe amatorë, nga mbi 42 shtete të ndryshme nga mbarë bota. Nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës dhe e certifikuar nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës – IAAF, Maratona këtë vit solli një garë të fortë sportive, në tre kategori të ndryshme, “We too”, “Half Marathon” (21, 0975 km) dhe “Tirana 10K”.

    Fitues i garës së Gjysmë Maratonës (21, 0975 km) për meshkuj doli sportisti nga Kenia Laban Cheruiyot, i cili e realizoi për kohën 01:06:44, ndërsa për femra fituese doli një tjetër sportiste nga Kenia, Christine Moraa Oigo, e cila e realizoi për kohën 01:20:32.

    Në garën Tirana 10K fitues për meshkuj doli sërish një sporti tjetër nga Kenia, Hillary Kiptum Maiyo Kimaiyo me kohën 00:29:57. Ndërsa, për femra fituese u shpall rekordmenia shqiptare, Luiza Gega me kohën 00:33:42, e cila arriti të thyejë sërish rekordin kombëtar me 25 sekonda.

    Veliaj, i cili garoi në kategorinë Tirana 10K, teksa i dorëzoi çmimin e parë Luiza Gegës, tha se sot Tirana tregoi qytetari.

    “Jam shumë krenar për ju dhe për ata që morën pjesë. Ju duam shumë, jemi një qytet të gjithë bashkë. Dua të falënderoj dhe shumë qytetarë që sot treguan durim, u sollën më shumë si europianë sesa si ballkanas. Duruan me orë të tëra teksa kaloi gara, do të thotë që jo vetëm emancipohen ata që po vrapojnë, por edhe ata që e mbështesin. Mezi pres që nesër të vazhdojmë me regjistrimet në shkollat tona për çunat dhe gocat që merren me sport dhe ta bëjmë Tiranën qytetin më të shëndetshëm në Shqipëri. Për vendin e parë kemi 2 lajme të mira: Lajmi i parë i mirë është që është thyer një rekord kombëtar për 10 km, me 25 sekonda. Lajmi i dytë i mirë është emri i fitueses, ajo që na bën krenarë, ajo që meriton gjithë duartrokitjet dhe mbështetjen tonë, ajo që thyen rekorde, Luiza Gega”, tha Veliaj.

    Kryebashkiaku përmendi kauzën e garës së tij:   “Unë kam zgjedhur kauzën time për rindërtimin e shtëpive që u dëmtuan nga tërmeti. Dua të falenderoj dhe përshëndes çdo kauzë tjetër. Pashë disa që po vrapojnë për refugjatët, një super kauzë që gjithë organizatat e OKB-së po e bëjnë. Pashë disa aktivistë të tjerë për tema ekologjike, për emergjencën e klimës, për të mbjellë më shumë pemë, për të ruajtur një specie në zhdukje”, tha Veliaj.

    Më tej, ai bëri të ditur se gara të tilla sportive përveçse nxisin qytetarët dhe në mënyrë të veçantë të rinjtë të merren me sport për një jetë të shëndetshme, i japin edhe qyteti frymëmarrje.

    “Sot është një ditë kur qyteti merr frymë. Kemi ndaluar makinat nga qendra e qytetit. Është një mënyrë për të kujtuar që në fakt për miliona vite njerëzimi ka ecur dhe ka vrapuar, vetëm në 100 vitet e fundit rri te një makinë metalike duke pritur në trafik. Është një kthim në origjinë për t’u investuar në më shumë shëndet. Qyteti ka asete plot, ka ndërtesa, pemë, sheshe. Por, aseti numër një janë njerëzit. Qytete pa sheshe dhe pa pazare ka, por nuk ka qytete pa njerëz. Ndaj, shpresoj shumë që t’i kemi sa më të shpeshta këto aktivitete, ditët pa makina dhe një moment ku Tirana jonë të mbushet me oksigjen dhe të investojmë për qytetin e ëndrrave tona”, shtoi Veliaj.

    Kujtojmë fituesit: 

    Fituesit e Half Marathon 21, 0975 Km për meshkuj

    1. Laban Cheruiyot Kenya 01:06:44.323
    2. Evans Kipngetich Tanui Kenya 01:06:47.584
    3. Moses Kipruto Kibire Kenya 01:10:32.679

    Fituesit e Half Marathon 21, 0975 Km për femra

    1. Christine Moraa Oigo Kenya 01:20:32.936
    2. Gladys Jepkurui Biëott Kenya 01:24:53.098
    3. Anna Pedrazzini Albania 01:30:28.526

    Fituesit e Tirana 10k për meshkuj

    1. Hillary Kiptum Maiyo Kimaiyo Kenya 00:29:57.276
    2. David Nikolli Italy 00:30:06.888
    3. Ndiëa Kipkurui Sakon Kenya 00:30:11.966

    Fituesit e Tirana 10k për femra

    1. Luiza Gega Albania 00:33:42.203
    2. Cveta Trajce Albania 00:36:43.047
    3. Relaksa Dauti Albania 00:38:48.040

    Fituesit e Kategorisë We Too

    1. Dovlet Gjangolli Albania 00:08:15.090
    2. Erblin Karaj Albania 00:08:42.289
    3. Saimir Ustabeqiri Albania 00:08:51.109.

    Fotot nga Maratona i gjeni në galeri. / Tiranapost.al. 

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post