Aktualitet

Forumi i Gruas Socialiste në zgjedhje, me parimin një anëtar një votë

Forumi i Gruas Socialiste në zgjedhje, me parimin një anëtar

Forumi i Gruas Socialiste zhvillon sot zgjedhjet për të gjitha nivelet e përfaqësimit, në të gjithë Shqipërinë me parimin “1 anëtare një votë”, duke bërë kështu që çdo grua e cila bëhet pjesë e këtij procesi të ndjehet e përfaqësuar. Ky është një shembull i qartë i funksionimit të demokracisë së brendshme. Me anë të këtij procesi çdo vajzë dhe çdo grua ka në dorë jo vetëm të zgjidhet por edhe të zgjedhë.

Kryetarja e këtij forumi, Olta Xhaçka i ka uruar sukses në këtë garë të gjitha grave. Numri i grave dhe vajzave në këtë forum ka ardhur gjithnjë në rritje. Kujtojmë që Forumi i Gruas Socialiste ka ndërmarrë një sërë nismash ndër vite ku si qëllim primar ka qenë përfaqësimi sa më i gjerë i grave në politikë dhe vendimmarrje.

Më e rëndësishmja është nisma për një ndryshim në Kodin Zgjedhor, ku të sanksionohet që 50% e listës së kandidatëve për deputet të jenë gra. Edhe brenda vetë Partisë Socialiste 50% e delegatëve të kongresit dhe 50% e asamblesë kombëtare të këtij subjekti politik janë gra. Nga ky proces do të zgjidhen gjithashtu edhe delegatët për Kongresin e Forumit të Gruas Socialiste.