• Shqip
  • English
  • E shtunë, 25 Janar 2020
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Kryesore Të gjitha

    Florenc, do të të harrojnë këta që të duan sot (nënkuptoj politikanët). Nuk do të të jepnin dorën përsëgjalli


    25 Rreshtat e Mirës/ Të gjithë do të të harrojnë Florenc, më beso për këtë! Kemi përcjellë shumë kufoma, kemi shumë vite që e shohim sa e vogël është në të vërtetë Shqipëria, por sidomos sa të vegjël po bëhemi gjithnjë e më tepër!

    25 Rreshtat e Mirës/ Arsyeja që dikush a disa po përpiqen të mbajnë gjallë vdekjen tënde disa ditë, si ajo sonda artificiale në spitalin e Marsejës, është edhe më artificiale, është e shtirur dhe nuk kërkon nderin tënd, por nderin e humbur të vet. As unë nuk të dua, sepse nuk të njoh nga afër dhe as nga larg, por kjo nuk është arsye qe mos të vuash kur të sheh foton. Fotoja e një djali të ri del kudo këto ditë. Më ngjall trishtim sa herë del në lajme, në portalin që drejtoj. Sot u kërkova bashkëpunëtorëve në Tiranapost të vendosnin një foto tënden të bukur, sepse mendoj sikur po të mundje, do ngriheshe e do na thyeje nofullat që të nxjerrim ashtu, të dorëzuar para engjëllit të vdekjes. Burrave kurrë nuk u ka pëlqyer t’i ngushëllojnë, s’besoj që ti të bësh përjashtim. Por fotoja jote i përket mamit dhe babit tënd, familjes tënde, të dashurës, nëse e kishe një të tillë, miqve, armiqve, nëse kishe vërtet të tillë. Dhe fotoja jote, çfarë është më e rëndësishmja, i përket Shqipërisë me historinë e vërtetë të vdekjes tënde, edhe të jetës. Të jetës së muajve të fundit, sidomos. Fotoja nuk mund të kthehet në një dhomë ku shfrehin dufet dhe sulmet personale politikanët e vendit nga i cili ike pikërisht se askush nuk e ka bërë ende Marsejë këtë tokë.

    Në rrjetet sociale flitet për ty duke kërkuar llogari. Edhe këtu medalja ka dy anë. Disave u pikon në shpirt vdekja e një të riu, që në rrethanat e tua, si një emigrant, në zemër të rinisë, në zemër të ëndrrës për një jetë europiane, ti vdes në dhomën e burgut, dhe atëherë perimetri shkon larg.

    Disa thjesht zgjohen në mëngjes, nuk kanë asnjë gjë për të mbrojtur dhe kanë nevojë të mbrojnë dikë. Të tretët, këta janë të padurueshmit – se dy të parët janë të mirët, në mos shumë të mirë, të durueshëm e të drejtë – se kanë humbur ndër vite besimin tek një institucion, tek politika, tek pasaporta, aeroporti, edhe tek vendi ku emigrojnë. Vetëm atë adresë facebook-u, instgram-i kanë dhe mirë bëjnë! Të tretët janë ata që flasin se duan të pështyjnë një palë dhe duan panik, duan një fatkeqësi që të nxjerrin qen e mace nga shpirti. Janë disa që duan të jetojnë në zi…

    Tani, si gazetare , ende nuk e di se çfarë ka ngjarë vërtet me ty në atë dhomën e burgut. Nuk e kam mësuar dot historinë tënde të emigrimit, sepse para se të ndalojmë të mësojmë një histori, të ngremë akuza apo edhe shoqërinë në këmbë, të bindemi apo të rebelohemi, ne biem të gjithë pre e zhurmës, e fotove dhe statuseve, e dezinformacionit me ‘më the të thashë’.

    Shqipëria ka parë në këto 27 vite vdekje me anije në fund të detit, vdekje nëpër male, të rrahur e të masakruar nëpër burgje, gra që i varin për këmbësh nga ballkoni burrat e tyre. Ky vend i vogël ka parë shumë! Ambasdori ynë në Francë sot tha për News 24 se rasti yt ishte ende pak mister, se nuk të janë gjendur shenja dhune në trup, se pas autopsisë do mësohet e vërteta dhe se babai ndodhet atje. Sot e vërteta jote vlen më shumë se e vërteta jonë. Nuk të ngjall ty, fatkeqësisht, por mund të ndezë një dritë! Besoj që është dikush, i vetmi që nuk ka folur, ai që të do vërtet ty, që do të vërtetën tënde dhe jo tonën, babi yt, Florenc! Si gazetare do bëj çmos që të flas me të. Jemi të gjithë të lodhur me hipokrizinë. Të gjithë do të të harrojnë Florenc, më beso për këtë! Kemi përcjellë shumë kufoma, kemi shumë vite që e shohim sa e vogël është në të vërtetë Shqipëria, por sidomos sa të vegjël po bëhemi gjithnjë e më tepër!

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post