Aktualitet

Fleckenstein: Vettingu ishte prioritet i Ramës, gëzohemi që dy bosët arritën marrëveshjen

Eurodeputeti ka thënë se pas votimit të komisioneve Ad Hoc, do të nisë procesi i Vettingut i cili ishte kusht për hapjen e negociatave. Anëtarësimi në Bashkimin Europian tani është më pranë.

Në një intervistë për ABC News nga Brukseli, raportuesi për Shqipërinë Knut Fleckenstein ka thënë se është i lumtur për arritjen e marrëveshjes mes dy liderëve politikë në Shqipëri, të cilët ai i ka quajtur “bosë”, duke thënë se ndoshta herën tjetër kur në Shqipëri të ketë një mosmarrëveshje, ata ta zgjidhin pa ndërmjetësimin ndërkombëtar. “Nëse kryeministri dhe lideri i opozitës gjetën dakortësi për mënyrën se si të zhvillojnë zgjedhjet e përgjithshme dhe për të gjitha elementet e nevojshme që paraprijnë zgjedhjet, unë jam i kënaqur me këtë. Jam shumë i lumtur, që Mcallister, Lee dhe ndoshta dhe unë kontribuuam për këtë rezultat, por në fund, ishin dy bosët që vendosën se si do të vijojnë. Ky është një hap pozitiv dhe shpresoj që një dakortësi e tillë të arrihet pa asistencën tonë herën e ardhshme”, ka thënë Fleckenstein.

Raportuesi i Shqipërisë në Parlamentin Europian ka thënë se ideja e një koalicioni të madh nuk është diçka e parealizueshme, edhe pse në teori ato janë gjithmonë një përjashtim. “Koalicionet e mëdha janë gjithnjë një përjashtim, edhe pse në Gjermani u bënë vite që vendi qeveriset nga një koalicion i madh. Nëse nuk do ketë asnjë alternativë tjetër për koalicion, atëherë një koalicion i tillë i madh, qoftë dhe teorikisht, mund të formohet. Pse jo?”, është shprehur Fleckenstein duke lënë të nënkuptohet se faktori ndërkombëtar do ta pranojë një bashkëpunim mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike.

Vettingun e ka cilësuar një prioritet të kryeministrit Rama i cili u arrit, duke plotësuar kushtin e hapjes së negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Fleckenstein ka premtuar se ai vetë dhe organizmat e tjerë të Bashkimit Europian do të nxisin futjen sa më shpejt të Shqipërisë në BE. “Jam i kënaqur që një nga prioritetet e kryeministrit ishte zbatimi i Vettingut dhe kjo ka filluar. Nuk ka dyshim që pas zgjedhjeve, puna për Vettingun do vazhdojë. Kjo ishte dhe është parakusht për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe ne do të nxisim që kjo të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë Fleckenstein.

Lidhur me zgjedhjet, eurodeputeti ka thënë se tani që opozita është pjesë e qeverisjes dhe monitoron sjelljen e qeverisë, nuk ka asnjë dyshim se ato do të jenë të lira dhe të pranuara nga të dyja palët./E.U, Tiranapost.al