• Shqip
  • English
  • E enjte, 19 Shtator 2019
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Kontribues Të gjitha

    Flamujt në klasat e Francës versus librat falas në Shqipëri


    Ne jemi ende tek kompleksi i librave falas, për të cilët bëj pjesë tek njerëzit që mendojnë se duhen blerë. Të pasurit dhe të mesmit duhet t’i blejnë, sepse libri vlen më shumë se hamburgeri, pica apo qendrat e argëtimit për fëmijë, që mbushen plot e askush nuk kursehet. Qendrat tregtare janë plot më karroca e prindër që blejnë, blejnë, blejnë, pavarësisht mundësive, ndonjëherë. E bëjnë se i duan fëmijët dhe shumë mirë, po librat pse i duan falas më vonë? A thua se shkolla është një detyrim nga halli. Shkolla është investimi më i mirë për njeriun. Ky institucion është lodhur shumë në 30 vitet e demokracisë, që nga humbja e autoritetit të mësuesit nga pasunarët apo zengjinët e rinj, deri tek përqendrimi në investime të mëdha dhe të dukshme: rrugë, lyerje, suvatime, pallate, fshatra turistikë. Shkolla është si një lis, që do kohë të bjerë në sy dhe mos më shumë e mos më pak, ajo nuk i ka interesuar askujt. Sigurisht, duhen politika për të pamundurit (kuptoj librat falas) dhe ky është shteti i mirë e social, por ndërkohë që ne flasim e debatojmë mbi këtë temë, Franca i është kthyer identitetit kombëtar, por edhe atij europian. Dy flamuj do të qëndrojnë nëpër shkollat e Francës, ai francez dhe ai europian.

    Me siguri do ketë pro-të e kundra-t edhe ky opsion, por tema në vetvete mban era shoqëri me memorie.

    Po ne çfarë po iu mësojmë brezave? Si të kërkojnë çdo gjë falas dhe të tjerat janë në rregull?

    Çfarë po iu mësohet fëmijëve në parashkollor e shkolla? Dashuria për njëri-tjetrin, identitetin, gjuhët e huaja, përgatitjen e tyre, siç profesor Fuga sot (me të cilin jo gjithmonë kemi qenë dakord, por mëritë janë shkollë e vjetër) me të drejtë shkruante rreshta magjikë. A po i përgatitim ne fëmijët si do jenë pas 20 vjetësh? Ku do punojnë? Si do ta mendojnë e duan vendin e tyre?

    Përgjigjet për këto pyetje do të ishin reklama më e mirë në botë, pse jo dhe me një flamur të vockël shqiptar e europian, se për atë ka ëndërruar e luftuar edhe Skënderbeu, heroi ynë kombëtar që jetoi në mesjetë.

    *Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni: 0684081690 /email: [email protected]

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690