Aktualitet

Flamujt në gjysmështizë, 16 maji ditë zie kombëtare për “Dëshmorin e Atdheut” Klodian Tanushi

Flamujt në gjysmështizë, 16 maji ditë zie kombëtare

Këshilli i Ministrave ka shpallur ditë zie kombëtare ditën e enjte 16 Maj 2019. Në nder të major Tanushit që humbi jetën gjatë misionit të NATO-s, komandant i kontingjentit shqiptar në Letoni, ditën e enjte në të gjitha institucionet publike e private, flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë.

Gjithashtu, Komisioni Qëndror i Statutit “Dëshmor i Atdheut”, nën drejtimin e ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, e shpall major Klodian Tanushin, i rënë në krye të detyrës, “Dëshmor i Atdheut”.

Homazhet në nder të tij do të zhvillohen në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, nga ora 10:00-12:00.

Më pas, po në mjediset e Muzeut, do të mbahet ceremonia shtetërore në nder major Klodian Tanushit, përpara se arkivoli i mbuluar me flamurin kombëtar të vendoset në shtrat topi dhe të përcillet në Varrezat e Dëshmorëve. /Tiranapost.al/