SPORT

Flamengo ngre trofeun e Copa Libertadores

Flamengo ngre trofeun e Copa Libertadores

Flamengo është skuadra që ngre lart flamurin e saj në çatinë e futbollit ameriako-latin. Ekipi Brazilian ka mundur në finale e Copa Libertatores skuadrën argjentinase të River Plate-t.

Në lima të Perusë sulmuesi brazilian Gabriel Barbosa “gdhendi me gërma të arta” emrin e tij duke i dhuruar trofeun e dytë në histori Flamengos.

Finalja e madhe e kompeticionit më të rëndësishëm në Amerikën Latine, ishte në plan për t’u luajtur në Santiago të Kilit, por për shkak të protestave, u zhvendos në impiantin e Limës në Peru.

Pavarësisht gjithçkaje atmosfera e krijuar nga tifozëritë e të dy skuadrave, rezultoi spektakolare.

Sfida nisi më mirë për River Plate, që në minutën e 14' gjeti golin e avantazhit me anë të sulmuesit Borre dhe pavarësisht reagimit të brazilianëve, arriti të ruajë avantazhin deri në minutën e 89’ të takimit.

Kur të gjithë menduan se ekipi argjentinas do të ngrinte lart trofeun u shfaq  Gabigol i cili mori në dorë fatin e finales së madhe.

Sulmuesi shfrytëzoi mjaft mirë pasiguritë në mbrojtjen e argjentinasve, duke shënuar dy herë brenda tre minutave në limitet e sfidës.

Festa ishte legjitime e talentit te Selecaos ndonëse pas golave u ndëshkua edhe me karton të kuq, ashtu si edhe Palacios për River Plate.

Flamengo shkurorëzon kështu River Plate, në finalen e 60-të të Copa Libertadores, trofe të cilin e fiton për herë të dytë në histori, ndërsa argjentinasit dështojnë të ngrenë për herë të katërt këtë trofe. /XH.K