• Shqip
  • English
  • E shtunë, 21 Shtator 2019
  • Shqip
  • English
  • Lifestyle Showbiz Të gjitha TIP top

    Flakën dhe Luanën ose pyetini troç për operacionet ose lërini të qeta njëherë e përgjithmonë


    Ka ndodhur e do ndodhë përherë: Luana dhe Flaka kurdo e për çfarëdo që të intervistohen, do pyeten patjetër edhe për ndërhyrjet estetike. Tema e vjetër prej vitesh e operacioneve mbetet përherë e re. Të gjithë ua shohim ndryshimet, hundët e lëmuara, mollëzat e ngritura, buzët e fryra etj., etj., e prapë nuk ngopemi së ua thëni e stërthëni e pyetur e stërpyetur. Ama as ato nuk lodhen së bëri bisht, edhe pse, mbase, do shpëtonin njëherë e mirë po të thoshin: po, i kam bërë të gjitha se kështu më do qejfi. Dhe kanë gjithë të drejtën e botës që me trupin e tyre të bëjnë çfarë të duan. Por jo. Asnjë përgjigje e tillë.

    “Nuk e di si ka dal kjo histori që unë jam e bërë, e stërbërë. Çdo njeri ndryshon. Më plot gojën them që nuk kam prekur asgjë në trup dhe nëse keni ndonjë për ta vërtetuar, unë jam gati”, u shpreh Luana dhe u çua në këmbë duke treguar linjat e saj bombastike. “Prapë njerëzit do flasin, po nuk di si ta vërtetoj. Më zhvishni”. Pra, nuk kam bërë asgjë në trup ishte përgjigjja. E pse të lodhesh ta zhveshësh Luanën e të kërkosh aq thellë kur ndryshimet e fytyrës janë fare të dukshme? Veçse ajo nuk flet për to.

    Siç nuk flet as Flaka Krelani, një nga zërat më të mirë shqiptarë, që para ca kohësh vendosi t’i dhuronte vetes një pamje revolucionare nga koka tek këmbët. Flaka e tanishme nuk ka pikën e lidhjes me atë të dikurshmen, por ja që edhe ajo, me gjithë sigurinë që mund t’i japë ai zë brilant që ka, i bën bisht pyetjes pikë e presje si Luana.

    “Nuk janë ato ndërhyrje qysh jeni tu i mendu dhe qysh janë hiperbolizu. Nëse flisni për përmasa trupore, brisk në trupin tim kurrë s’ka hy”. Politikisht korrekt, si njëra si tjetra. “Rebelohet Flaka” thuhej në kronikën e përgatitur nga emisioni Mirage, por kësaj përgjigjeje veç rebelim s’i thua dot. Nëse Flaka do thoshte për shembull: po, jam bërë më e bukur dhe më pëlqen vetja kështu, atëherë po që do t’ua kishte mbyllur gojën me të drejtë të gjithëve. S’e bëri. E as ata që patën përballë nuk i ngacmuan më tej.

    Ermal Mamaqi nuk e ngau më tej Luanën, e ta pyeste përtej trupit, se mbase veç atë pyetje kishte të shkruar në skaletë. E as gazetari përballë Flakës nuk guxoi më tej të çonte deri në fund atë që nisi: E kuptuam për trupin. Po në fytyrë? Se këtë supozohet të bëjë një gazetar, të prodhojë ai lajmin ekskluziv. Të marrë të pathënën në studion e tij. Të ketë rrëfimin e parë. Në fakt, i lanë vajzat komoditetin e tyre për momentin, por e sigurt që sapo të pranojnë intervistën e radhës, pyetja e operacioneve plastike do t’u bëhet patjetër. Atëherë, ose pyetini troç dhe merrni përgjigjen me çdo kusht, ose lërini të qeta të bëjnë ç’të duan me trupin e tyre. Kështu edhe publikun që ju ndjek e respektoni më shumë./ Tiranapost.al/ K.S.

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690