• Shqip
  • English
  • E enjte, 17 Tetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Kontribues Opinion Sa nje kafe nga Iva Të gjitha

    Fjongoja rozë që na kujton diçka shumë të rëndësishme


    Nga Iva Tiço

    Vetëm disa ditë më parë lashë të pija një kafe me një të njohurën time të vjetër, që kisha shumë e shumë vite pa e takuar. U afrova në kafenenë ku kishim lënë takimin, ndërsa ishim shkruar në telefon dhe prisja ta dalloja nga larg për shkak të flokëve të gjatë deri në mes të kurrizit, me të cilat e kisha parë për herë të parë dhe gjithmonë. Por vajza që më ngriti dorën nga tavolina ku qe ulur, i kishte lidhur flokët me shall dhe vetëm pas bisedave të para “si i ke fëmijët” (foton e tyre e kisha parë kur kishin folur në ëhatsapp) dhe “ç‘thonë punët”, biseda shkoi natyrshëm tek ajo pyetja që të dyja po e shmangim, që sa u pamë dhe që nderej me gjithë peshën e vetë mbi ne “ku e ke?”

    Nuk është një nga ato rrëfimet e thjeshta. Rëndon si për atë që ua tregon nga e para gjithë atyre që takon,  por ka shumë peshë edhe për atë e dëgjon. Eshtë një nga ato historitë që i sheh hera herës në televizor, por që kur të rrëfehen nga përballë nuk di si të sillesh. Ndoshta duhet të bësh si e fortë dhe të thuash “do e kalosh!”, por përlotja është gjithsesi mëse normale… Sepse është një nga ato tregime që të trondisin fort, që fillojnë me “ndjeva një si masë në gjoks kur po e kontrolloja/bëja dush/rastësisht” dhe përfundojnë me kontrolle, analiza, ndërhyrje, biopsi, mastektomi, seanca kemioterapie, ilaçe, rreze…

    Kur ka qenë hera e fundit që e ke kontrolluar gjoksin tënd?

    Po a dimë ta bëjmë një gjë të tillë? Ja e kontrollova me dorë? Po ku ta dalloj?

    A duhet bërë mamografi? Sa herë në sa kohë? Apo ekografi e gjoksit? Apo vizitë e thjeshtë/

    “Dallohet kollaj e dashur, pa merak”, më tha e njohura ime e vjetër në kafe, që duhet të ma ketë lexuar alarmin në sy.

    Ndoshta nuk ka vend vërtetë për alarm. Së paku këto vitet e fundit jam kontrolluar tek mjeku rregullisht, në çdo tetor. Edhe pse i kam takuar atij grupit të skeptikeve që nuk kanë besuar  tek fushatat, kuotat, lëvizjet, vitet e fundit për shkak të profesionit ndoshta që më ka bërë të njoh më shumë, të hap sytë më shumë, kam ndryshuar aq sa të kuptoj që në këtë vend fushatat, kuotat, lëvizjet  bëjnë në pak ditë aq sa nuk është bërë në vite e vite të tëra. Dhe duke folur çdo tetor për ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit, bashkë me fushatën e shoqatës YWCA, që ka vite që përdor fjongot rozë, e së fundmi bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe të tjera organizata, edhe unë jam kontrolluar rregullisht. Nëse prej meje e kanë bërë dhe disa mikesha/shoqe/ ndjekëse, më mirë akoma.

    Ndaj këtë tetor në Tirana Post, menduam që gjatë gjithë muajit fjongoja rozë, simbol i kësaj fushate ndërgjëgjësimi të qëndrojë krah logos së portalit. Nuk është asnjëherë tepër. Eshtë fjongoja që na kujton të gjithëve se një kontroll i gjirit mund të na shpëtojë jetën. Eshtë fjongoja që na kujton të gjithëve që në sëmundje të tilla diagnostikimi në kohë është shansi që na jepet për të fituar mbi të keqen. Eshtë fjongoja që na kujton të gjithëve që të ndërgjegjësohemi që kemi veç këtë trup dhe duhet të kujdesemi për të, që çdo beteje e përditshme, çdo ankth, përçppjekje për të qenë i lumtur, paratë, materializmi, dukja, vaniteti, armiqësitë dhe kotësitë të gjitha bashkë janë asgjë përpara trupit tonë. Eshtë fjongoja rozë që na tregon se të gjitha bashkë mund të bëjmë më shumë, mund të jetojmë më mirë.

    E njohura ime e vjetër për fat është nga ato vajzat e kujdesshme, që e njeh trupin e saj dhe mundi ta kapë të keqen në kohë. Eshtë e sigurt që do ia dalë mbanë. Gjithë ne të tjerat kemi përpara një muaj shumë të rëndësishëm, kur mund të bëjmë diçka për jetën tonë. Fjongoja rozë që do të qëndrojë tek Tirana Post gjithë tetorin do na e kujtojë./ Tiranapost.al

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected]