Aktualitet

Fjalimi përbashkues i Nelson Mandelës që frymëzon edhe sot: Ka ardhur momenti të mbushim humnerat që na ndajnë, është ora jonë

Pas burgimit 27 vjeçar, zgjedhja e Nelson Mandelës si President shënoi fundin e shtypjes racore në Afrikën e Jugut. Sot, me rastin e 100 vjetorit të lindjes, e kujtojmë me një fjalim brilant dhe përbashkues të mbajtur më 10 maj 1994 në Pretoria pas fitores së zgjedhjeve të para demokratike. Një fjalim ku nuk përmendet asnjëherë fjala “unë”, por thuhet gjithmonë “ne”, sepse “nuk ekziston asnjë rrugë e lehtë drejt lirisë” prandaj “koha për të ndërtuar është mbi ne, është koha jonë, është ora jonë.”

Nga Nelson Mandela/ Sot, të gjithë ne që jemi të pranishëm këtu por edhe të tjerët me festimet e tyre tjetërkund në vend dhe në botë, po rrethohemi nga triumfi i sapolindur i shpresës dhe lirisë. Të gjithë sapo kemi dalë nga një katastrofë e jashtëzakonshme e njeriut mbi njeriun që u tejzgjat, prandaj sot këtu po të lind një shoqëri të cilën do e shohë gjithë njerëzimi dhe ky fakt duhet të na bëjë krenarë.

Janë veprimet tona të përditshme ato që duhet të prodhojnë një realitet të tillë në Afrikën e Jugut, të aftë për të forcuar njerëzimin tonë, besimin në drejtësi, për të forcuar besimin në ndershmërinë e shpirtit njerëzor e të mbështesë shpresat tona për një jetë të lavdishme.

Gjithë këtë ia detyrojmë vetes por edhe popujve të tjerë të botës që prezantohen më së miri sot këtu. Për bashkëkombasit e mi nuk hezitoj të them se secili prej nesh është fortësisht i lidhur me tokën e këtij vendi të bukur siç janë pemët e jakarandës në Pretoria apo mimozat në Bushveld. Sa herë që prekim dheun e kësaj toke ndjejmë se rinohemi më shumë. Gjendja shpirtërore e ndryshon një vend ashtu si klima ndryshon stinët. Mund të lëvizim nga ndjenja e gëzimit dhe euforisë kur bari bëhet jeshil dhe lulet lulëzojnë.

Kjo ndjenjë e tillë shpirtërore dhe fizike që ne të gjithë e ndajmë me këtë atdhe të përbashkët, shpjegon thellësinë e dhembjes që të gjithë kemi ndjerë në zemrat tona teksa shihnim se si na e rrëmbyen vendin për shkak të një konflikti të tmerrshëm, që siç e kemi parë, shkaktoi përçmim, na nxorri jashtë ligjit dhe na izoloi nga popujt e botës pikërisht sepse Afrika e Jugut u kthye në bazën globale të ideologjisë shkatërruese dhe praktikës e shtypjes raciste.

Ne, populli i Afrikës së Jugut jemi sot të lumtur që kemi bërë një hap pas, që njerëzimi na ka pranuar në gjirin e tij pikërisht neve, që ishim jashtë ligjit deri pak kohë më parë dhe që sot patëm privilegjin e rrallë që të mikpritemi nga gjithë vendet e botës këtu, në tokën tonë.

Falenderojmë të gjithë miqtë tanë të nderuar ndërkombëtar që erdhën të kujdesen, së bashku me njerëzit e vendit tonë, për atë që në fund të fundit është një fitore e përbashkët për drejtësinë, paqen dhe dinjitetin njerëzor. Jemi të bindur se do të vazhdoni të jeni pranë nesh, ashtu siç ne do të përballemi me sfidat e rivendosjes së paqes, e prosperitetit, duke luftuar seksizmin, racizmin dhe anti-demokracinë.

E vlerësojmë thellësisht rolin që populli dhe politikanët tanë demokratë, fetarë, gratë, të rinjtë, sipërmarrësit apo udhëheqësit tradicionalë kanë ndërmarrë për të arritur në këtë përfundim. Jo i fundit mes tyre është zëvendës presidenti, Shkëlqesia e tij FW de Klerk.

Le t’i bëjmë homazh edhe forcave tona të sigurisë për rolin e kyç që kanë luajtur për garantimin e zgjedhjeve të para demokratike dhe tranzicionin drejt demokracisë, duke i lënë larg forcave ende të etura për gjak e që nuk dorëhiqen.

Ka ardhur koha për shërimin e plagëve. Ka ardhur momenti për të mbushur humnerat që na ndajnë. Koha për të ndërtuar është mbi ne, është koha jonë, është ora jonë.

Më në fund kemi arritur emancipimin tonë politik. Do të angazhohemi për ta çliruar gjithë popullin tonë nga skllavëria që sjell varfëri, privim, vuajtje, diskriminim gjinor e gjithçka të këtij lloji.

Arritëm t’i hidhnim hapat tonë të fundit drejt lirisë me një paqe të pjesshme. Angazhohemi sot për ta kthyer atë në një paqe të plotë, të drejtë dhe të përhershme.

Triumfuam në tentativën për të hedhur rrënjët e shpresës në zemrat e miliona qytetarëve tanë. Sot hyjmë në një marrëveshje të re, për të ndërtuar një shoqëri në të cilën të gjithë afrikanojugorët, të bardhë a të zinj, do të mund të ecin me kokën lart, pa asnjë frikë në zemrën e tyre, të qartë për patjetërsueshmërinë e dinjitetit njerëzor: Një vend si një ylber, në paqe me vetveten dhe me botën.

Ia dedikojmë këtë ditë të gjithë heronjve dhe heroinave të këtij vendi, për të cilin në forma të ndryshme sakrifikuan jetët e tyre, që të mund të ishim të lirë. Ëndrrat e tyre u bënë realitet. Shpërblimi i tyre është liria.

Tani e kuptuam se nuk ekziston asnjë rrugë e lehtë për lirinë. Ashtu siç e dimë mirë se asnjëri prej nesh nuk mund t’ia dalë i vetëm e të ketë sukses. Prandaj duhet të veprojmë si një popull i bashkuar, për pajtimin kombëtar, për ndërtimin e atdheut, për lindjen e një bote të re.

Që të ketë drejtësi për të gjithë.

Që të ketë paqe për të gjithë.

Që të ketë punë, bukë, ujë e kripë për të gjithë.

Lini çdo gjë që dini dhe mësoni se çdo trup, çdo mendje dhe çdo shpirt është çliruar për të kënaqur vetveten dhe për lumturinë e gjithsecilit.

Kurrë, kurrë, kurrë më nuk do ta njohim shtypjen e njërit mbi tjetrin mbi këtë tokë kaq të bukur, kurrë më nuk do të pësojmë poshtërimin e të qenit qelbësit e botës.

Lejoni që t’ju mbretërojë liria.

Dielli nuk ka ndriçuar kurrë një rezultat kaq të lavdishëm dhe njerëzor!

Zoti na bekoftë dhe bekoftë tokën tonë./Nelson Mandela udhëhoqi qeverinë e parë demokratike në Afrikën e Jugut që prej vendosjes së regjimit të shtypjes racore të popullsisë së bardhë mbi atë me ngjyrë pas Luftës së Dytë Botërore. Kaloi 27 vite të jetës së tij mes burgjeve të Pollsmoor, Victor Verster dhe ishullit Robbsen, prej nga u lirua në vitin 1990. Është nderuar me qindra çmime në gjithë botën, ku më të rëndësishmit janë Çmimi Nobel për Paqen, Sakharov Prize, Presidential Medal of Freedom, Nishan e-Pakistan, International Gandhi Peace Prize, Urdhri Leninit etj. U nda nga jeta në vitin 2013 në moshën 95 vjeçare. Ky shkrim u përshtat në shqip nga Erjon Uka për “Blogu i rërës” në Tiranapost.al