Aktualitet

Fitoi Nobelin, por Kosterlitz “mbetet i njëjti idiot”: Njerëzit më marrin shumë seriozisht

Si është jeta e një çmimi Nobel? John Michael Kosterlitz në një intervistë pa dorashka tregon se si tek ai (nuk) ka ndryshuar gjithçka. “Rri në këmbë duke folur për gjëra që as kam njohuri, e kështu zbulova një tjetër talent timin”, thotë me sarkazëm, duke mos harruar të japë edhe disa këshilla praktike për të rinjtë.

Çmimi Nobel do t’i ndryshonte jetën çdo shkencëtari, por duket se kjo nuk ka fort vlerë për John Michael Kosterlitz, fizikanin që këtë çmim e mori dy vite më parë. Sigurisht që janë shtuar aktivitetet jashtë vendit, fjalimet dhe njohjet. Por siç Kosterlitz tregon pa dorashka, brenda tij nuk ka ndryshuar asgjë. Madje habitet se si njerëzit tani e vlerësojnë më shumë se para dy vitesh kur nuk e kishte fituar ende Nobelin, megjithëse njohuritë e tij janë të njëjta. “Jam i njëjti idiot”, thotë me shaka në një intervistë nga auditorët e Torinos ku është ftuar këto ditë.

Po tani profesor, si është jeta pas Nobelit?

Marr shumë ftesa dhe gjithandej më kërkojnë që të mbaj fjalime. Rri në këmbë duke folur për gjëra që as kam njohuri, e kështu zbulova një tjetër talent timin.

Atë të oratorisë?

Të gjithë më marrin shumë seriozisht, edhe pse kam mbetur i njëjti idiot. I njëjti person doja të thoja.

Fama nuk ju gëzon aspak?

E vështirë ta thuash. Është një eksperiencë që përsëritet, si për shembull në takimet në universitet: shtrëngon duart, firmos autografe...

Çdo fitues i Nobelit është si një yll rock-u dhe nga ju e nga kolegët tuaj pritet më shumë urtësi e inteligjencë.

Është e çuditshme. Je gjithë kohës i rrethuar nga respekti i të tjerëve, edhe pse nuk di më shumë gjëra nga sa dije përpara se të merrje çmimin Nobel, si për shembull në 2016 kur unë e fitova.

Nga atëherë, keni udhëtuar shumë apo jo?

Shumë. Por e bukura është se tani nuk udhëtoj më në economy-class.

Cili ka qenë vendi ku jua kanë marrë frymën?

Në Korenë e Jugut dhe në Kinë. Programi atje ishte intensiv dhe e kisha të vështirë të gjeja kohën për të bërë pak pushim.

Ju tashmë jepni mësim në Providence, në Rhoe Island. Atje nuk jeni shumë i ngarkuar e keni kohë për t’u relaksuar?

Nuk më duhet të luftoj më për të gjetur grantet e kërkimit, pra financimet. Në këtë këndvështrim nuk kam më dhembje koke.

Por kolegët tuaj po. U duhet të jetojnë me shumë stres për shkak të një mjedisi me konkurrencë të lartë.

Patjetër që po. Bëhet një luftë e pafund për fondet e kërkimit dhe në Shtetet e Bashkuara çdo kërkuar vlerësohet në bazë të aftësisë për t’i thithur këto fonde.

Ju keni një këndvështrim opitimist për zhvillimet e ditëve të sotme. Çfarë mendimi keni për shkencëtarët që bëhen milionerë përmes aktiviteteve start-up?

Të them të drejtën me shkencën nuk bëhesh i pasur. Prandaj duhet dashuruar puna që bën. Unë personalist nuk kam menduar kurrë për paratë dhe nuk kam asnjë aftësi në atë fushë.

Një pyetje banale, por e pashmangshme. Këshillat tuaja për të rinjtë që kërkojnë një karrierë shkencëtari, e ndoshta një ditë çmimin Nobel?

Kërkimi shkencor është 95% frustrim dhe dështim, e vetëm 5% sukses. Pikërisht kjo e bën shkencën të denjë për t’u ndjekur, por këto përqindje nuk ua tregoj të rinjve.

Por çfarë mund t’u thuhet pra?

Që duhet të bëjnë atë që dashurojnë. Kjo ka qenë eksperienca ime.

Ju keni qenë i mirë në matematikë?

Mund të them se arrija t’ia dilja. Por matematika nuk është asgjë tjetër përveçse një instrument, ndaj nuk duhet të kthehet në obsesion. Natyrës nuk i intereson matematika. Të kalosh gjithë jetën duke menduar për numrat është njësoj si të përsosësh një lopatë thjesht për të hapur një vrimë.

Shkencëtarët duhet të jenë më shumë në sferën publike, përtej diskutimeve Nobel.

Ka edhe një problem gjuhe, kuptueshmërie, sepse është e vështirë të kuptosh kapacitetin e publikut që po i drejtohesh, por besoj se shkenca duhet të jetë pjesë e bagazhit kulturor të gjithsecilit.

Thuhet për shembull se Brexit ishte një goditje e rëndë për ju shkencëtarët...

Ishte diçka idiote, por në këtë jetë merren shumë vendime idiote dhe prapë mbijetohet. Edhe Britania e Madhe do të mbijetojë./Intervista është zhvilluar në Universitetin e Torinos në muajin shkurt, shqipëruar për “Blogu i rërës” në Tiranapost.al nga Erjon Uka.