SPORT

Firmino në dyshime për finalen e Ligës së Kampionëve

Firmino në dyshime për finalen e Ligës së Kampionëve

Liverpooli ka marrë një lajm aspak të mirë këtë të marte (21 maj), pasi Roberto Firmino ka pësuar lëndim në stërvitjet për finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Tottenham Hotspurit.

Gjigantët nga Merseyside do të përballen me Spurs në finalen e garës më të madhe në Evropë për klube në Wanda Metropolitano të Madridit më 1 qershor.

Jurgen Klopp është në presion të vazhdueshëm nëse do të ketë të gjithë lojtarët në dispozicion për përballjen ndaj londinezëve, e që është ndeshja kryesore e këtij sezoni për The Reds.

Roberto Firmino kishte humbur katër ndeshjet e fundit për shkak të një lëndimi, por që iu përsërit edhe sot (e marte) në stërvitjet rutinë që i zhvillon Liverpooli.

Në ditët në vijim mbetet të shihet nëse sulmuesi brazilian do të jetë i gatshëm për finalen e madhe ndaj Spursave. Klopp do të konsultohet me stafin mjekësor rreth gjendjes së brazilianit, në mënyrë që të mos rrezikojë të startojë me të në Madrid.

Ndryshe, reprezentuesi i Brazilit ka qenë vendimtar edhe në këtë sezon për anglezët, duke shënuar 16 gola dhe ka bërë tetë asistime në 47 paraqitje në të gjitha garat. /XH.K