• Shqip
  • English
  • E shtunë, 20 Korrik 2019
  • Shqip
  • English
  • My Albania Rajoni Të gjitha

    Financial Times: BE duhet të çelë dyert për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ose do ketë trazira në Ballkan


    Në një artikull të publikuar dy ditë më parë, gazeta Financial Times këshillon Bashkimin Evropian të shpërblejë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me çeljen e negociatave për anëtarësim në Samitin e Qershorit.

    Në të kundërt, sipas artikullit, Ballkani do të përballet me trazira të cilat do të kenë një ndikim të dëmshëm në të gjithë bllokun. Sipas Financial Times, Ballkani mund të jetë në prag të një trazire tjetër nëse BE nuk hap negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

    “Vendimi duhet të jetë unanim që të ketë ndikim. Vende si Franca dhe Holanda janë të përqendruara tek vetëmbrojtja jo vetëm ndaj kundërshtarëve politikë vendas por edhe ndaj qeverive të tjera. Për pasojë, ato hezitojnë tq angazhohen në fazën e rradhës të zgjerimit të bllokut,” shkruan Financial Times duke theksuar se Franca është për momentin e përqendruar tek reformimi i vendit se tek rajoni i Ballkanit.

    Financial Times argumenton se nëse Maqedonisë së Veriut, e cila përmendet si një shembull pozitiv në rajon për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit, i çelen dyert e anëtarësimit dhe Shqipëria ngelet në sallën e pritjes, një vendim i tillë do të ishte i rrezikshëm.

    “Një lëvizje e tillë do të ishte njësoj sikur t’i hidhje benzinë zjarrit të ndjenjave nacionaliste mbarë shqiptare. Politikanët dhe aktivistët në Shqipëri e Kosovë do të braktisnin shpresat e anëtarësimit në BE dhe do të përqafonin kauzën e Shqipërisë së Madhe në mënyrë më të hapur. Kjo do të ndikonte në përpjekjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Serbisë dhe Kosovës por edhe në zbutjen e tensioneve mes boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve në Bosnie Herzegovinë,” shkruhet në Financial Times.

    Ballkani, sipas gazetës, është një terren pjellor për ndërhyrjet e ndërkombëtarëve, duke qenë se kohët e fundit ka tërhequr vëmendjen e Rusisë, Turqisë dhe Kinës.

    Financial Times sjell në kujtesë ndërhyrjen e agjentëve rusë në grushtin e shtetit të vitit 2016 në Malin e zi, financimet turke për përhapjen e fesë Islame në rajon dhe ndikimin e Kinës në infrastrukturën e rajonit.

    Gazeta paralajmëron Bashkimin Evropian që të tregojë kujdes me vendimet që do të marrë në Samitin e Qershorit, ndonëse kritikët e zgjerimit ankohen për cilësinë e dobët të demokracisë dhe rendin ligjor në Ballkan.

    Pavarësisht këtyre kritikave, Financial Times argumenton se ligjvënësit evropianë duhet të marrin parasysh edhe entuziazmin e qytetarëve ballkanas për zgjerimin.

    “Besimi i të gjithë rajonit tek Bashkimi Evropian dhe entuziazmi i popujve për reformat e vështira do të zbehet nëse Bashkimi Evropian nuk jep një sinjal pozitiv. Çdo gjë tjetër do të nxiste trazira në Ballkan dhe do të dëmtonte Bashkimin Evropian. Në fund, blloku do t’i bëjë dëm vetes,” përfundon artikulli i Financial Times. / Artikulli origjinal në Financial Times/ Përkthyer nga Tiranapost.al.