Art & Kulturë Te gjitha TIP top

Festivali i sivjetshëm, më pak gafa, më shumë këngëtarë prej vërteti dhe një juri e vogël fare


Kemi vite që presim nga festivali i fundvitit që të gjejë shkëlqimin e humbur. Dhe kemi po aq vite që dëgjojmë çdo prag festivali se ky do jetë më i miri, duke na lënë në fund të tij po aq të zhgënjyer sa një vit më parë, në mos më shumë (për ata që ende nuk e kanë braktisur traditën e ndjekjes së festivalit të TVSH-së). A do ndodhë edhe kësaj here e njëjta gjë? Ajo që dimë deri tani është se si prezantues nuk do kemi ndonjë shoqe të Ledina Çelos e as ndonjë shok të Kasem Hoxhës, por Adi Krastën. Të paktën do jemi të qartë që në fillim: gafa nuk do ketë, pra si rrjedhojë portalet nuk do mbushen me lajme për fustanin transparent, fjalët e ngatërruara, për batutat pa pikë kripe të lexuara në letër apo për deklarata të tipit: “nuk jam për këtë punë”. Falë Zotit, Adi Krasta është sidomos për këtë punë.


Ajo që dimë tjetër është se në listën e sapopublikuar nga zyra e shtypit të festivalit, krahas këngëtarëve të rinj, festivalit më të vjetër i rikthehen edhe emrat e vjetër, që në atë festival i kemi parë për herë të parë që kur ishin fare të rinj: Elton Deda, Manjola Nallbani, Redon Makashi, Bojken Lako, David dhe Genc Tukiqi e sidomos grupi “Akullthyesit”, një nga më të pëlqyerit e viteve ’90. Të paktën këtë vit lista e pretendentëve për në Eurovizion është më e pasur. Sepse përveç këngëtarëve të vjetër, ka edhe nga ata të rinjtë, që kanë këllqe ta përballojnë edhe të kënduarit “live” edhe skenën evropiane, si Eugent Bushpepa apo Orgesa Zaimi.


Një tjetër detaj na ka dhënë Adi Krasta gjatë një interviste të tre ditëve më parë. Këtë vit juria do të ketë vetëm tre antarë, siç nuk ka ndodhur kurrë më parë që gjithë ajo këmborë e rëndë e përzgjedhjes së fituesit, t’u varet aq pak vetëve. Do të thotë, siç edhe Adi vetë e theksoi, ndodh çfarë ndodh, vetëm ata të tre do mbajnë përgjegjësi. Me pak fjalë, thuhet çfarë thuhet në fund, për hatërmbajtje, çmime të blera apo të ndara me mik, siç ka ndodhur aq shpesh nëpër festivale, ata kanë marrë përsipër t’i dëgjojnë e t’i durojnë të gjitha. Cilët janë këta guximtarë për t’u shtrënguar dorën? Presim t’i shohim. Siç po presim, ndoshta për herë të parë pas shumë vitesh, të shohim një festival të mirë. Ne presim, se atë punë kemi. A do jetë vërtet i tillë? Shpresojmë të zhgënjehemi (për mirë)! K.S.

 

Komento:

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *