Aktualitet

Fenomeni Minniti në Itali, një komunist po projektohet si kryeministër

Nuk mban truproja, nuk ka llogari në rrjetet sociale dhe nuk pranon të debatojë në programet televizive. Madje nuk ka as zëdhënës.

Kush është Minniti? Ka shumë persona që e bëjnë këtë pyetje, nga jashtë por edhe brenda Italisë. Madje edhe Massimo D’Alema, një prej figurave më të rëndësishme të së majtës italiane, tregon se pati një dialog me vjehrrën e tij para disa ditësh. “Massimo, po kush është ky Minniti? Pse të gjithë flasin për të? Ka qenë njëri që punonte me ty, por nuk e mbaj mend se çfarë bënte...”

Por kush është Marco Minniti? Një sherif, një spiun, titullari i Ministrisë së Brendshme në vitet ’60, “personi më i urryer në Itali”, e konsideronte gazeta “l’Unita”, organ i Partisë Komuniste, “ministri i policisë” do ta quante Pablo Neruda.

minniti-ansa2

Por sot Marco Minniti është Ministri i Brendshëm i Italisë dhe duket se është i vetmi që ka një plan të qartë për t’i bërë ballë çështjes së emigrantëve, një prej problemeve kryesore jo vetëm të politikës, por në radhë të parë të qytetarëve italianë. Megjithëse jo pa probleme, pasi është kritikuar shumë edhe nga intelektualë të majtë. Ka udhëtuar vetë në Libi, një nga burimet kryesore të emigrantëve në Itali dhe ka hartuar të ashtuquajturin “Kodi Minniti” për organizatat humanitare të shpëtimit në Mesdhe, duke ngjallur shumë polemika.

Fuqinë e padukshme të Minnitit e panë të gjithë pasditen e 7 gushtit, kur i bezdisur nga kritikat e shumta mbi procedurat që kishte vënë mbi sjelljen e Organizatave Humanitare për Shpëtimin e Emigrantëve, refuzoi të merrte pjesë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Tha troç se ishte gati të dorëhiqej nëse mendonin se mund të gjenin dikë që e bënte punën më mirë se ai, por kaq mjaftoi që të gjithë të kuptonin se Marco Minniti tani është me të vërtetë i pazëvendësueshëm.

Duket si një politikan i ri, por është 61 vjeç dhe vjen nga radhët e komunistëve. Që në vitet ’80 ka qenë funksionar i rëndësishëm i Partisë Komuniste Italiane, ndërsa në vitet 1998-2001 ishte ndër njerëzit më të rëndësishëm pranë ish-kryeministrit Massimo D’Alema. Mori drejtimin e Ministrisë së Brendshme në dhjetor të vitit 2016, por për pak muaj, emri i tij qarkullon në gjithë Italinë. Prej kohësh nuk ishte parë një Ministër i Brendshëm që të përbënte lajm.

Është politikan i strukturuar. Nuk mban truproja, nuk ka llogari në rrjetet sociale dhe nuk pranon të debatojë në programet televizive. Madje nuk ka as zëdhënës. Gjithë stafi i tij është ish-senatori Achille Passoni.

Ministri nuk replikon kurrë në publik. Kur i thonë se nuk është i majtë, u kujton të tjerëve se kur u vra miku i tij i Partisë Komuniste Peppe Valarioti, iu desh atij t’i jepte lajmin familjes. Kështu zbulon natyrën e tij të vërtetë: kafshë politike me gjak të ftohtë, ose më saktë një vullkan gati për të shpërthyer sapo t’i vijë momenti.

40c5fb7e-fbf4-4efb-9a54-9cf0cf711ac3_large

Në një kohë që e majta italiane ka rënë në krizë identiteti, Marco Minitti duket i vetmi që po përpiqet të ruajë ideologjinë në një politikë gjithnjë e më të rrëmujshme. Vitin tjetër në Itali janë zgjedhjet. Silvio Berlusconi është rikthyer për të bashkuar të djathtën. Në anën tjetër, Marco Minniti po mbledh kapital politik në radhët e të majtës dhe popullit italian. Në këto muaj ka dëshmuar se di ta bëjë punën e tij pa bërë “show” televiziv. Të shumtë janë ata që e projektojnë si kryeministrin e ardhshëm. Por deri në zgjedhje, lufta politike, sidomos ajo brenda llojit, do të jetë më e ashpër se kurrë./Tiranapost.al