SPORT

Federer: Nuk kam asnjë peng nga 2017-ta

Roger Federer nuk ka asnjë keqardhje për atë që ka ndodhur gjatë vitit 2017, madje ai është shumë i kënaqur me rezultatet e arritura, duke fituar edhe 2 grand sleme, një arritje që askush nuk e kishte parashikuar. “Jam i kënaqur që në këtë moshë kam arritur këtë nivel loje. Nuk kam asnjë keqardhje, pasi i tejkalova të gjitha pritshmëritë që kisha. Do të doja ta kisha fituar edhe turneun e fundit në Londër, por ky është sporti, aty nuk isha në formën më të mirë dhe këtë lodhje e ndjeva në gjysmëfinale”, tha Federer.

Zvicerani shpreson të arrijë edhe një objektiv tjetër, që nuk e kapi dot këtë fundvit, të bëhet sërish numri 1 në botë. “Sezoni i ri nis me një problem të madh, pasi më duhet të mbroj 2 mijë pikë në Australian Open, trofeun që fitova vjet. Ndaj kam thënë gjithnjë se ky objektiv është më i vështirë. Në moshën time, nëse bëj gabime dhe bëhem nervoz do të kem probleme me shpinën dhe kjo nuk më ndihmon. Megjithatë, tani jam duke shijuar disa ditë pushim dhe më pas do të nis përgatitjet për 2018-ën”, u shpreh Roger Federer. /XH.K