Aktualitet

Fati i një krimineli

Fati i një krimineli

Dritan Dajti mban mbi duar gjakun e katër policëve të vrarë, por gjykata e Apelit vendosi që të rrëzojë vendimin që e dënon me burg përjetë. Me tre vota pro dhe dy kundër, Apeli i Krimeve të Rënda pranoi gjykimin e shkurtuar dhe dënoi përfundimisht me 25 vjet burg një ndër emrat më të përfolur të botës së krimit. Nga ana tjetër, burime nga prokuroria bëjnë me dije se do të ankimojnë vendimin. Po kush është Dritan Dajti? Si nisi historia e vrasjeve, arratisja nga gjykata, masakra e Durrësit dhe "lirimi" nga Gjykata e Apelit.

Kush janë 4 policët e vrarë

7 gushti i vitit 2009 ëstë një ndër ditët më të zeza për vendin dhe policinë. Katër punonjës policie u vranë në krye të detyrës. Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, dhe Sajmir Duçkollari, ndërhynë në zonën e plazhit për të arrestuar Dritan Dajtin, i cili ishte në kërkim për vrasje, por mbetën vetë viktima. Policia kishte organizuar një operacion për arrestimin e Dritan Dajtit,  pasi ai ishte dënuar për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo, ngjarje e ndodhur në vitin 1999 në Tiranë.

Gjyqtarët që “liruan” Dritan Dajtin

Aleks Nikolli, Petrit Aliaj dhe Skënder Danimi kanë votuar për aplikimin e gjykimit të shkurtuar dhe dënimin përfundimtar me 25 vite burg.

Ndërsa dy gjyqtarët e tjerë; Fuat Vjerdha dhe  Lindita Hoxha kanë votuar pjesërisht kundër për heqjen e dënimit përjetë.

Vrasja e parë dhe arratisja spektakolare nga gjykata

Dritan Dajti u bë i njohur për herë të parë për drejtësinë në vitin 1999, pasi akuzohej për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo. Dajti u  vu në pranga dhe fillimisht u dënua me 20 vjet heqje lirie nga Gjykata e Shkallës së Parë së Tiranës për veprën penale të vrasjes. Por Dritan Dajti do bëhej I njohur pasi u arratis në mënyrë spektakolare nga dhoma e izolimit e Gjykatës së Tiranës, më 17 nëntor 2003, vetëm pak minuta para se të fillonte seanca kundër tij.

Si ndodhi krimi

Sipas prokurorisë, Dritan Dajti më datë 9 gusht është nisur nga Tirana për në Durrës dhe rreth me një makinë tip “Tuarek” bashkë me dy persona të tjerë. Rreth orës 13.50 ata janë ndalur në afërsi të kryqëzimit që të çon për tek pista e vogël “Iliria”, moment kur ka ndërhyrë edhe policia.

Ka qenë komandanti i forcës së posaçme Fatos Xhani që i është afruar te mjeti “Touareg”, ka hapur derën e parë të krahut të shoferit të mjetit tip dhe me thirrjen “-Ndal policia’” i është drejtuar personit që ndodhej në sedilen e pasme të mjetit.

Dajti ka hapur zjarr nga brenda makinës me dy armë zjarri ndaj efektivëve të policë, ndërsa më pas shkëbimi i zjarrit ka filluar edhe në plazh. Nga të shtënat mbetën të vraeë Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, dhe Sajmir Duçkollari, ndërsa Dritan Dajti mbeti i plagosur

Si shpjegohet në dosjen e prokurorisë vrasja e katërfishtë në Durrës

“Sapo u afruan te mjeti, efektivi Fatos Xhani ka hapur derën e parë të shoferit dhe me thirrjen ‘Ndal!’, policia i është drejtuar personit që ndodhej në sediljen e pasme të mjetit. Menjëherë, nga ana e personit që ndodhej brenda mjetit, është hapur zjarr në drejtim të Fatos Xhanit, duke e lënë të vdekur atë. Po nga brenda makinës, i njëjti person vrau edhe policin tjetër, Sajmir Duçkollari. Personi që qëlloi nga brenda ‘Touareg’-ut dhe vrau dy punonjësit e policisë, Fatos Xhani dhe Sajmir Duçkollari, doli nga makina dhe hapi zjarr ndaj punonjësit tjetër, Altin Dizdari. Në kohën që polici Kastriot Feskaj sapo kishte neutralizuar njërin nga të kërkuarit, Dritan Dajti e qëlloi dy herë nga pas shpine efektivin e katërt”/Tiranapost/A.C