Aktualitet

Familje të tjera do të përfitojnë kredi të butë nga bashkia/Ja projektet e ardhshme në Tiranë

Familje të tjera do të përfitojnë kredi të butë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj dha edhe lajmin e mirë për të gjitha ato familje që nuk kanë mundësi që të blejnë një banesë. Siç ka ndodhur në dy fazat e tjera, sërish rreth një mijë familje të reja në Tiranë do të përfitojnë shumë shpejt një kredi të butë nga Bashkia e Tiranës, e cila merr përsipër të subvencionojë interesat e tregut bankar. Por, përveç kredive të buta, Bashkia e Tiranës ka edhe tre skema të tjera për të mbështetur familjet, të cilat nuk kanë mundësi ekonomike që të sistemohen në një strehë.

Këtë deklaratë Veliaj e bëri nga dëgjosa me qytetarët në njësinë 4 të Tiranës ku po diskutohet Buxheti i 2019 dhe bilanci i punës së realizuar në këto 3 vjet. Nga shkolla e re “Ardian Klosi”, e cila u ndërtua pikërisht gjatë këtyre 3 viteve, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se Njësia 4 është simbol i transformimit që ka pësuar e gjithë Tirana, duke ndjerë më shumë se çdo njësi tjetër investimet e bëra. Kjo jo vetëm sa i përket rehabilitimit të Lumit Tirana, por për të gjitha punët e bëra, duke nisur nga më të vegjlit me çerdhet, kopshtet dhe shkollat, infrastruktura rrugore, ujësjellës etj. Për këtë ai theksoi se çdo qytetar që i besoi votën 3 vite më parë duhet të ndihet krenar.

“Janë gjithmonë të sikletshme takimet kur kthehesh në vende ku s’ke mbajtur fjalën, ku s’ke bërë asnjë punë, por duke filluar nga salla ku jemi sot e deri tek rruga që na solli këtu, te mënyra si ka ndyshuar kjo lagje, besoj se secili që i thotë vetes socialist duhet ta mbajë kokën lart e të ndihet krenar që partia jonë, vota për forcën tone, sjell një transformim të paimagjinueshëm. Ne nuk jemi një forcë që ndryshon gjërat një herë në katër vjet, ne jemi një forcë politike që çdo javë ndryshon diçka. Bregu i Lumit ishte një fjalë fyese; po t’i thoje dikujt je nga Bregu i Lumit, praktikisht po i thoje, s’ ke vlerë, unë s’flas me ty, je pa dinjitet, ik kthehu nga ke ardhur! Sot të thuash Bregu i Lumit është tjetër gjë, kjo është një ndër shkollat më të mira jo në Tiranë, por në Republikë”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Një nga investimet më të mëdha dhe që kanë sjellë një transformim rrënjësor në Njësinë 4 është ai për rehabilitimin e Lumit Tirana dhe zhvendosja e familjeve rome që jetonin aty në banesa komode. “E gjithë kjo zonë ku sot është shkolla përmbytej. Sot jemi dita me natën. Mënyra se si mbaroi në kohë rekord i gjithë transformimi i Lumit të Tiranës, bashkëpunimi që patëm në komunitet, njerëzve u duket si përrallë nga e kaluara, kur para tre vitesh mblidhnim plaçkat në krahë dhe bënim evakuimet. Kur kujtoj ata të partisë së Babales që jepnin konferenca për shtyp, ne duke ndihmuar njerëzit, ata konferencë për shtyp, e thoshin mos të hiqen njerëzit nga Bregu i Lumit. Jo, mor shok, jo, ke të drejtë të banosh dhe ne të kemi çuar në banesë sociale”, tha Veliaj.

Sa i përket investimeve në sistemin e infrastrukturës arsimore, Veliaj bëri të ditur se pas plotësimit të nevojave më imediate në këtë fazë të parë me çerdhet, kopshtet dhe shkollat, puna do të vijojë më tej. “Kemi parë që lagjja ka nevojë edhe për shkolla të tjera. Jemi në fazën që po prokurojmë disa shkolla të reja që do t’i shërbejnë edhe komunitetit të Njësisë 8 dhe 4, duke qenë se janë dy njësi administrative kufitare. Në shkollën ‘Ardian Klosi’ kemi menduar të fusim konceptet e programimit dhe të informatikës. Ne kemi rikonstruktuar 5 kopshte, 4 çerdhe, dy shkolla, dhe kemi ndërtuar shkollën e re “Ardian Klosi”. Ajo çfarë është bërë me kopshtet dhe çerdhet në këtë komunitet, por dhe në gjithë Tiranën në këto 3 vite, duhet të na bëjë të gjithëve të ndihemi mirë, se gjenerata që po vjen i ka kushtet më mirë se gjenerata që iku. Bëmë një rehabilitim dhe instalim të sistemit të ngrohjes për shkollën 9-vjeçare “Gjon Buzuku”; rikonstruksion të plotë të shkollës specaile “Luigj Kurakuqi”. Ndërkohë, me projektin “Shkolla – qendër komunitare”, kemi hapur shkollat “Eqerem Çabej”, “Bajram Curri” dhe “Ardian Klosi”, ku zhvillohen kurset e basketbollit”, deklaroi kreu i Bashkisë.

Veliaj u ndal edhe në një nga projektet më ambiciozë të Bashkisë së Tiranës, si ndërtimi i korsive të dedikuara të biçikletave, sikundër po ndodh edhe në qytetet më të zhvilluara. “Kur takoj ndonjëherë njerëz që thonë shumë mirë me rrugët, por këto korsitë e biçikletave na e kanë ngushtuar pak rrugën? Korsia është po ajo që ka qenë sepse korsitë e biçikletave ose janë në trotuar ose aty ku parkoheshin makinat. Kjo e biçikletave është një gjë që po ndodh kudo në botë. Për sa kohë që për Bashkinë e Tiranës gjithë njerëzit janë njësoj, secili do të ketë korsinë e vet të transportit, qoftë transport publik, qoftë biçikletë, qoftë makinë”, tha ai.

Në dëgjesën me banorët e Njësisë Nr.4 në kryeqytet, Veliaj listoi edhe një sërë projektesh të rëndësishme që janë konkretizuar, duke përmirësuar ndjeshëm edhe cilësinë e jetesës për komunitetin e kësaj zone, si: rikualifikimi urban i bllokut nga rruga e “Dibrës”-“Njazi Meka”-“Niko Avrami”-“Grigor Perlecev”, rehabilitimi dhe zgjerimi i varrezave publike Tufinë, rehabilitimi I Fasadave në Godinat Publike në rrugën e Dibrës, rikonstruksioni i shumë prej rrugëve të brendshme nëpër lagje, rruga “Shefqet Kuka”, rikonstruksioni i rrugës së Dibrës, ndërtimi dhe Rikonstruksioni i rrugës “Selaudin Bekteshi”, rrugës "Imer Ndregjoni" dhe rrugës “Xhanfize Keko”. Gjithashtu, ai shtoi se vetëm në njësinë 4 në kryeqytet është bëra asfaltimi i 62 rrugëve, tre herë më shumë se gjithë vitet 2011-2015 të marra së bashku dhe është shtuar ndriçimi nga e para në 25 rrugë. Veliaj u shpreh se sot në Tiranë është arritur 80% e ndriçimit, ndërkohë që tre vite më parë ishte më pak se 30%. Ai siguroi se deri në fund të mandatit do të sigurohet dhe ndriçimi 100% i kryeqytetit.

Krahas projekteve me rëndësi strategjike për qytetin, në këto tre vite Bashkia e Tiranës i ka kushtuar një vëmendje të posaçme edhe investimeve nëpër lagje, duke rehabilituar blloqe të tëra pallatesh. Duke u ndalur tek investimet, Veliaj nënvizoi se motoja e Bashkisë së Tiranës do të jetë edhe për këtë vit ndërhyrja deri në nivel kapilar në çdo pallat e rrugicë. Siç parashikohet në Planin e Përgjithshëm Vendor, Veliaj tha se Kinostudio do të jetë një nga poliqendrat e reja të qytetit, duke u ofruar qytetarëve të saj të gjithë shërbimet e nevojshme. Bashkia e Tiranës ka filluar projektin për rehabilitimin e gjithë qendrës në Kinostudio. Ai nënvizoi se puna e nisur që në fillim të këtij mandati me këndet e terrenet sportive do të vijojë edhe vitin dhe mandatin tjetër, për t’u siguruar që çdo lagje e Tiranës të ketë një hapësirë ku të luajnë fëmijët dhe të kalojnë kohën e lirë të rriturit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës vlerësoi vendimin e qeverisë për ndalimin e basteve dhe kazinove, duke theksuar se ai do të sjellë një efekt të ndjeshëm në buxhetet e shumë familjeve të Tiranës. “Javën e kaluar kishim një tjetër vendim shumë të rëndësishëm. Është një nga vendimet më të mrekullueshme që nuk besoj ka grua, zonjë, nënë, kryefamiljare në Tiranë që të mos gëzohet: ndalimi me ligj i pikave të basteve në Tiranë. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë dhe ta mbështesim qeverinë tonë, që në datën 1 janar, të çohemi në një Tiranë pa baste, pa kazino, pa bingo, më shumë para për familjet dhe më shumë kohë për gjithë fëmijët e qytetit tonë”, tha Veliaj.