• Shqip
  • English
  • E mërkurë, 26 Qershor 2019
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Të gjitha

    Familja, sa 10 psikologë, 100 princa dhe 100 mijë përralla


    Të gjithë i kemi në shtëpitë tona hallet dhe skeletet në dollap, dhe lum ajo familje që bashkohet në ditë të errta dhe thotë: vajza ime mbetet e mirë edhe kur është bërë “e keqe”. Tani, mendoj, s’na ngelet shumë më për të folur për këtë ngjarje. T’i lëmë të qetë familjen e Kavajës në rrugën e vështirë të ringritjes dhe të shohim nga familjet tona. Të duhemi e të falim, edhe kur duket gjëja më e vështirë në botë. Asgjë, veç vdekjes, nuk është e pariparueshme.

    Nga Mira Kazhani/ Nuk e di pse familja e adoleshentes së Kavajës ka folur për ministren Spiropali. Ndoshta është çështje tempizmi dhe kjo pak rëndësi ka, edhe pse si gazetare do doja vetë të isha përpara këtyre rrëfimeve, aq më tepër kur dëgjova videon e plotë. U mbusha me frymë dhe u ndjeva disi më e çliruar nga trysnia e një ngjarjeje që ende lë shije të thatë e të këput shpirtin.

    Është lajmi më i mirë i ditës që familja sot ka vendosur të jetë krah vajzës së vogël, dhe madje të gjejë forcë për të parë më të mirën tek bija e tyre. ‘Është e shkëlqyer në shkollë vajza ime’, thotë babai. ‘E kemi vajzën të mirë dhe të tjerët të shohin detyrat e punët e tyre’, thotë gjyshi. Sa mirë që familja sot nuk është prishur mendsh e të mbyllet në turp e ta shohë dhimbjen e fëmijës më shumë si turpin e vet sesa si moment për ta shuar atë me një zemër të madhe.

    Në jetë mos na raftë, se të gjitha do t’i durojmë. Siç thotë populli: ‘I ra gurit dhe e çau, i ra njeriut dhe e duroi’. Ajo familje nuk është në gazmend, sepse fati i ka sprovuar tek fëmija, ku dhemb më shumë, por njerëzit e dashur janë që të na falin, të na mbështetin kur të gjithë botën kemi kundër. Familja është psikologu më i mirë në botë, mësuesi më i zotë, dhe ua kalon të gjithë dashurive të shkollës apo punës. Kur familja të hap krahët, dhe ta bësh këtë në Kavajë, në Shqipëri, ku ende është e fortë stigma, nevoja për të qenë të pagabueshëm në sy të botës, domosdoshmëria e suksesit, siç ndodh me çdo hipokrizi që karakterizon shoqëritë e vendeve të brishta, se s’dua të them të prapambetura. Apo sapo e thashë!

    – Sepse askush nuk është i pagabueshëm, i padramatizueshëm, i paaksidentueshëm, i papërdhunueshëm, i padisfatueshëm. Të gjithë i kemi në shtëpitë tona hallet dhe skeletet në dollap dhe lum ajo familje që bashkohet në ditë të errta dhe thotë: vajza ime mbetet e mirë edhe kur është bërë “e keqe”. Tani, mendoj, s’na ngelet shumë më për të folur për këtë ngjarje. T’i lëmë të qetë familjen e Kavajës në rrugën e vështirë të ringritjes dhe të shohim nga familjet tona. Të duhemi e të falim, edhe kur duket gjëja më e vështirë në botë. Asgjë, veç vdekjes, nuk është e pariparueshme. Rroftë familja, sidomos kur e di se krenaria është një shpikje për të dobëtit dhe se më të mirë se komshiu nuk të bëjnë divanët e shtrenjtë, pazari tek Conad, por dashuria për njëri-tjetrin dhe ajo nuk njeh mure, as kushte. Në të mirë e në të keq! /Tiranapost.al/