Tech

Facebook ndaloi së funksionuari përkohësisht në të gjithë botën

Rrjeti social më popullor në planet i cili numëron më shumë se 1 miliard përdorues ka dalë jashtë funksionimi në shumë rajone të botës. Të gjithë ata që tentonin të hynin në llogaritë e tyre e kishin të pamundur dhe shihnin në ekranet e tyre vetëm një mur të bardhë.

Vlerësohet se kanë qenë qindra mijëra përdoruesit të cilët kanë hasur këtë problem dhe ndonëse më tepër kjo çështje ishte e lokalizuar në SHBA dhe në Europë edhe kontinentet e tjera e kanë përjetuar. Gjithashtu, ka raportime se përdorues të ndryshëm kishin mundësi të hynin në llogaritë e tyre, por sapo tentonin të postonin diçka faqja mbyllej automatikisht.

Kompania ka konfirmuar se serverat e saj përjetuan një numër të madh anormalitetesh dhe mosfunksionimi gjatë ditës dhe është shprehur se po hetohet që të gjendet shkaku i këtyre probleme. Sapo të gjendet burimi i këtij konfuzioni kompania do të dalë me një deklaratë të re për të informuar publikun.

Ndodh shumë rrallë që Facebook të mbyllet pothuajse në të gjithë botën dhe ndonëse kjo gjë zgjati për vetëm pak momente, bëri shumë zhurmë mediatike. K.H/ tiranapost.al