Aktualitet

Euro në nivelin më të lartë që kur Banka ndërhyri në treg

Euro në nivelin më të lartë që kur Banka ndërhyri

Sipas kursit zyrtar nga Banka e Shqipërisë, një euro u këmbye sot me vlerën 126.6 lekë, duke pësuar rritje me 0.13 lekë në krahasim me të premten e javës së kaluar.  Kjo e bën euron në të nëntën ditë radhazi që ngrihet dhe mbiçmohet.

Në një artikull analizë nga Monitor tregohet se sot  monedha e përbashkët këmbehej në nivelin më të lartë që nga 12 qershori, koha kur Banka e Shqipërisë nisi ndërhyrjet në tregun e brendshëm me synimin për të frenuar rënien e pazakontë të euros, që zbriti nga rreth 134 lekë në fillim të vitit në 124.17 lekë në fillim të qershorit. Në saj të ndërhyrjeve euro u rrit për dy ditë në nivelin e 128 lekë dhe më pas pësoi stabilizim në rreth 126 lekë.  Banka paralajmëroi se do ishte vazhdimisht i pranishëm në treg.

euro

Ndër të tjera Monitor shkruan:

Në gusht, si rrjedhojë e efekteve sezonale, euro u nënçmua, por rënia ishte më e frenuar se vitet e tjera për shkak se banka e Shqipërisë hoqi vazhdimisht likuiditetin e tepërt nga tregu. Niveli më i ulët i euros në gusht zbriti në 125.48, në datën 10. Më pas, me mbarimin e efekteve sezonale, euro filloi të forcohej gradualisht, për të arritur sot në nivelin më të lartë në tre muaj.

Në rritje ka qenë dhe dollari, i cili u këmbye me 108.91 lekë, 0.72 lekë më shumë se fundi i javës së kaluar. Aktorët e tregut pohojnë se me mbarimin e efekteve sezonale është e vështirë që të parashikohet se si do të jetë ecuria e kursit të këmbimit. Dy vitet e fundit, kursi është luhatur nga faktorë jo të zakontë të kërkesë-ofertës, e ndikuar dhe nga hyrjet informale të valutës, që kanë ndikuar ndër të tjera dhe në forcimin e pazakontë të monedhës vendase, teksa deficiti i llogarisë korente nuk ka shënuar përmirësim të dukshëm./Artikulli referuar Monitor, për Tiranapost.al Elisa Bajrami.