Art dhe Kulturë

A ishte haremi si në telenovela? Ja një përshkrim nga Isabel Allende

A ishte haremi si në telenovela? Ja një përshkrim nga Isabel

Haremi (nga arabishtja “i ndaluar” ose “i mbrojtur”) vend në të cilin gratë jetonin të izoluara fizikisht dhe shpirtërisht nën përgjegjësinë e eunukëve, përherë ka ekzistuar, veçanërisht në Kinë, Indi dhe vendet Arabe, por shembulli më i shquar ishte Haremi i Madh i sulltanit turk, i cili arriti të mbante brenda mureve të tij më shumë sesa dymijë gra. Kur portat e këtij pallati madhështor të mbyllura me dryn u hapën më në fund në 1909, si pasojë e ndryshimeve politike në vend, bota vuri re se aty kishin jetuar mijëra gra për më shumë se 400 vjet. Nga ato s’kishte ngelur asnjë gjurmë. Asnjëherë nuk u morr vesh origjina dhe vdekja e tyre, ishte njësoj si të mos kishin ekzistuar kurrë.

Haremi nuk u shpik për të mbrojtur gratë, siç është thënë, por për të ruajtur moralin e burrave. Një musliman mund të ketë deri në shtatë gra të ligjshme dhe një numër të pakufizuar konkubinash, e gjitha kjo varet sesa i pasur është. Haremi i Madh pasqyronte pasurinë dhe pushtetin e Sulltanit turk. Në harem mbretëronte e ëma e sulltanit dhe më pas, me radhë, gratë, të preferuarat e tij dhe në fund fare skllavet e haremit. Gratë e sërës së lartë kishin edhe ato shërbëtoret e tyre, eunukët dhe dhomat e zbukuara me objekte nga më të rafinuarit; të tjerët jetonin në dhoma të përbashkëta, por megjithatë mes bollëkut. Luksi ndoshta nuk e kompensonte robërinë, por e bënte atë më të durueshme. Disa nga gratë lindnin në pallat, por në përgjithësi vinin nga tregtia e skllevërve.

Menjëherë sapo blihej gruaja zhdukej nga sytë e kësaj bote, harronte familjen dhe fillonte kështu të bënte pjesë në sistemin e ndërlikuar të konspiracioneve të haremit. S’dilte më kurrë prej andej, me përhashtim të rasteve të rralla dhe përherë e mbuluar nga koka tek këmbët. Jeta e saj kalonte mes përtacisë dhe injorancës, duke e kaluar kohën në lojra fëminore, marioneta, gjëagjëza, rrëfime apo shëtitje në kopshte, larg syve kurreshtarë.

Eshtë spekuluar shumë mbi këto bukuri të fshehura nën perçe – vajzat më të bukura të tregut të skllaveve ishin të destinuara për sulltanin – por është folur shumë pak për qenien jetëshkurtër të kësaj bukurie. E kalonin pjesën më të madhe të ditës të ulura këmbëkryq, duke ngrënë ëmbëlsira e duke tymosur opium e duhan: më parë se të mbushnin njëzetë vjeç ishin të dhjamosura, i kishin këmbët të shtrembta dhe dhëmbët e prishura, hollësira këto që s’figurojnë në asnë nga fantazitë erotike mbi haremin.

Përtej banjove të shquara turke (hamam) ku sensualiteti femëror çlirohej dhe intrigave që zinin pjesën më të madhe të jetës së këtyre grave, ushqimi ishte aktiviteti më i rëndësishëm i haremit. Lindi kështu tradita e artit të gatimit që karakterizon Turqinë. Për të ushqyer një numër kaq të madh grash, eunukësh dhe fëmijësh, kishte njëzetë kuzhina dhe njëqind e pesëdhjetë kuzhinierë të caktuar në përgatitjen e një zinxhiri të pandërprerë pjatash me mish dhe perime, që më pas servireshin në vazo argjendi dhe bronxi, kafesë turke dhe ëmbëlsirave të çdo lloji. S’pihej alkol, i ndaluar nga feja islame, por shërbeheshin vazhdimisht pije freskuese, limonata, ujë dhe sheqer i parfumuar dhe cevosa, një pije e ëmbël me prejardhje nga elbi. Patëllxhani konsiderohej si afrodiziaku më i mirë, sulltanit i servirej çdo ditë dhe akoma dhe sot gratë për së mbari e kanë për mburrje që dinë të paktën pesëdhjetë receta me këtë perime. Pjata më e preferuar ishin akulloret, të përgatitura me aromë erëzash, lule, fruta dhe akull të sjellë mbi shpinën e mushkave nga malet që ndodheshin shtatëdhjetë kilometër larg. Meqë s’kishin si e kalonin kohën, çdo vakt zgjatej me orë, falë një etike ceremoniale të cilën odaliskat e mësonin që nga fëmijëria. Hanin me duar, me elegancë dhe finesë; më pas kalonin shërbëtorët me ibrikë mbushur me ujë të parfumosur dhe peshqirë të qëndisur për t’u larë duart. Në fund gratë pushonin të mbështetura mbi shilte dhe jastëkë, duke tymosur nargjile dhe cigare, drogën e tyre. Për të shmangur ndonjë tentativë helmimi pjatat e sulltanit provoheshin më parë nga një eunuk dhe i njëjti rit pretendohej edhe nga favoritet më të kujdesshme të haremit.

*Shkëputur nga libri “Afërdita, rrëfime, receta dhe afrodiziakë të tjerë”