Art dhe Kulturë

Ermonela Jaho vuri standardin: je ministër, kryeministër, kryetar bashkie?! Blije biletën pra!

Ermonela Jaho vuri standardin: je ministër, kryeministër, kryetar

Janë më të mirët ata që vendosin standardet, ata që edukojnë ditë pas dite. Ermonela Jaho, përveç se ka pranuar të jetë ambasadorja e YWCA Albania për kauzën së “fjongos rozë”, për ndërgjegjësimin e kancerit të gjirit, ka vendosur edhe një standard të lartë për eventet e bamirësisë: asnjë ftesë e shpërndarë, të gjithë ata që do të shohin koncertin kanë blerë biletat.

Edhe pse pa një sportel shitjeje diku, por vetëm me një numër telefoni në vënë në dispozicion, edhe pse pa publicitet të paguar dhe pa postera gjigandë, biletat me çmim 70 dhe 50 euro janë shitur në një kohë rekord. Dhe për të parën herë në një event të ngjashëm, nuk ka pasur as edhe një ftesë të vetme të shpërndarë. Të gjithë, ministra, ambasadorë, kryetarë bashkish, ata që jemi mësuar të shohim në rreshtat e parë në evente të tilla, kanë paguar biletat për të parë Ermonela Jahon, që ndonëse me një axhendë shumë të ngjeshur këtë periudhë, ka marrë angazhimin të mbajë dhe një koncert në Tiranë. Për ta shoqëruar, do të jetë pianistja Elda Laho, gjithashtu me karrierë ndërkombëtare, së bashku me Vikena Kamenicën, Enada Hoxhën dhe Pantesilena Jahon, të cilat gjithashtu me gjithë zemër i janë bashkuar kauzës së Ermonela Jahos.

Të gjitha paratë e mbledhura nga ky koncert do të shkojnë për ngritjen e një qendre këshillimi dhe mbështetjeje psikologjike për gratë dhe vajzat e prekura nga sëmundja e kancerit të gjirit. Një qendër e tillë mungon në Shqipëri, sepse kemi të bëjmë me një sëmundje që veç kurave, është mjaft e vështirë për t’u përballuar edhe psikologjikisht, është një nga ato sëmundje që lënë shenjë për gjithë jetën jo vetëm tek e prekura, por edhe në gjithë rrethin familjar dhe miqësor. Ndaj jo më kot vitet e fundit, bashkë me ndërgjegjësimin, YWCA Albania, organizata që e ka këtë mision, po përpiqet edhe për të ngritur një qendër të tillë mbështetëse.

Sigurisht që një koncert si ky që do të mbahet nesër në sallën e Katedrales Ortodokse është ende shumë pak, por është një hap i madh përpara. Dhe kur një kauzë si kjo, i bashkëngjitet një emër si Ermonela, që vendos të tilla standarde, atëherë shanset për sukses janë shumë të mira./ Tiranapost.al