• Shqip
  • English
  • E enjte, 21 Nëntor 2019
  • Shqip
  • English
  • Lifestyle Sa nje kafe nga Iva Të gjitha TIP top

    Ermonela Jaho, apo të prekësh nga afër divën tonë imcake


    Nga Iva Tiço/ Ermonela Jaho nuk dallon në trup në grumbullin e njerëzve të mbledhur për konferencën për shtyp: është kaq imcake dhe nuk ka asgjë prej dive. Madje më jep një përqafim aq të ngrohtë kur afrohem që t’i prezantohem ndjekur me fjalinë “të njoh se e ndjek median shqiptare”… sa më bën të skuqem nga turpi… E kam kuptuar që një ditë më parë, teksa bëj telefonatat për të mbledhur gazetarët për konferencën e shtypit që i prin koncertit të saj të bamirësisë që atë e duan të gjithë: kurrë më parë kjo punë e “zyrës së shtypit” nuk është bërë kaq thjesht. Gazetarët janë mbledhur “me një fërshëllimë” pa qenë nevoja t’ua kujtosh dy herë: të gjithë duan të bëjnë kronika me Ermonelën, shkrime për Ermonelën, t’i bëjnë pyetje, e në fund të bëjnë dhe fotografi, siç nuk bëjnë me askënd tjetër.

    Ermonela u përgjigjet të gjithëve, edhe pse ka shumë pyetje (ta mendosh që një ditë më parë kisha merak se mos nuk bëhej asnjë pyetje, u kam lënë madje porosi kolegëve që jo vetëm të vijnë vetë, por edhe ta pyesin). Flet shumë e qetë, me një zë paksa të dridhur kur tregon se është bashkuar me zemër në këtë kauzë nga e cila kanë humbur jetën shumë gra, ndërkohë që shumë të tjera luftojnë çdo ditë dhe kanë nevojë për ndihmë, për mbështetje. Vetë ajo ka humbur dy mikesha, njëra prej të cilave ka ndërruar jetë vetëm pak muaj më parë. Tregon se si ky koncert është hapi i parë për ngritjen e një qendre këshillimi falas dhe mbështjeje për të prekurat nga kjo sëmundje teksa prezanton dhe Vikena Kamenicën, Enada Hoxhën, Elda Laron dhe Pantesilena Jahon, artistet që e shoqërojnë në skenë dhe që i janë bashkuar ftesës së saj për të vënë në shërbim të kësaj kauze talentin e tyre, kohën e tyre, punën e tyre. Ermonela ka vënë zemrën e saj në këtë punë dhe ka bashkuar të tjera zemra, për të prekur pastaj me qindra e qindra zemra të tjera. Këtë mund ta bëjnë vetëm artistët e mëdhenj, vetëm ata mund t’u japin forcë këtyre fjalëve.

    E shoh në konferencën e shtypit teksa flet për fuqinë e shembujve pozitivë, për gjërat e mira që mund të bëjmë të gjithë së bashku dhe asnjëherë këto fjalë nuk më kanë tingëlluar kaq të besueshme. Sepse fjalët kanë fuqinë dhe rëndësinë e gojës nga dalin. Nga Ermonela tingëllojnë kaq natyrshëm. Kaq të vërteta. Kaq prej zemre.

    Në krah kam Zefina Hasanin, kolegen dhe miken e vjetër, që meqë ra fjala ka meritën kryesore për realizimin artistik dhe teknik të koncertit, ka bërë bashkë gjithë elementet e tij. Me kuriozitetin e gazetarit e pyes në një moment nëse di ndonjë gjë për jetën e Ermonelës jashtë skenës, ndonjë gjë që nuk e kam lexuar, teksa nuk më kujtohet të kem lexuar ndonjëherë gjë për të… Zefina mbledh supet, as ajo nuk di. Dhe asnjë gazetar nuk e pyet për këto cingërrima, sigurisht përpara asaj këngëtareje askush nuk mendon të mësojë se ku jeton, ta pyesë për familjen, si jeton mes shumë kontinetesh, hotelesh, ta pyesë se çfarë sekretesh ka që duket aq bukur, nëse gjen kohë për të shkuar në palestër apo gjithçka është gjenetikë… A pyeten Perënditë për gjëra kaq tokësore?! Sigurisht që jo! Ermonela Jaho nuk është si gjithë të tjerët, është e vetmja ndër shqiptarë, që njihet vetëm për punën e saj.

    Jo më kot në mbrëmje salla është e gjitha plot. Një sallë e elektrizuar dhe e prekur në zemër nga gjithë koncerti, jo veç nga zëri i Ermonela Jahos. Në 20 e ca vjet në këtë profesion nuk më ka ndodhur të shoh spektatorë më të magjepsur sesa mbrëmë. E kisha besuar që ky do të ishte një event i veçantë që në verë, Dona Godaj e cila prej 11 vjetësh me organizatën e saj YWCA punon për kauzën e “Fjongos Rozë” më tha se Ermonela Jaho, ambasadore e çështjes së tyre do mbante një koncert dhe më kërkoi që të dhuroja dhe unë kontributin tim modest për kauzën (mbajtjen e marrëdhënieve me mediat dhe blerjen e biletës sigurisht). Por nuk kisha menduar kurrë që do ishte një koncert që do të prekte kaq shumë zemra. “E njoh që nga koha kur po kërkonte të çante në botën e madhe, nuk ka ndryshuar asnjë gram që nga ajo kohë”, më rrëfeu pak ditë më parë për të një mikja ime këngëtare. Të gjithë të tjerët që patën fatin të punonin me koncertin, të gjithë vullnetarë, kanë përsërirur të magjepsur se sa e thjeshtë, sa e njerëzishme, sa komode qe për ta Ermonela Jaho. Në botën tonë shqiptare, këto janë gjëra që bëjnë kaq shumë përshtypje. Sepse nuk kemi parë si ajo. Në këtë botën tonë kallpe, ku çdo ditë me dhjetëra “diva Instagrami” japin mend e na shohin nga sipër, ndihemi kaq të bekuar kur një flutur si Ermonela na kalon pranë, na lë pak nga hiri i saj dhe na jep shpresë se në këtë botë ka ende gjëra që bëhen me zemër./Tiranapost.al

    Ermonela Jaho vuri standardin: je ministër, kryeministër, kryetar bashkie?! Blije biletën pra!

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post