Lajme nga Bota

Enjtje në fytyrë dhe sy të skuqur, lideri i opozitës ruse mund të jetë helmuar në burg

Enjtje në fytyrë dhe sy të skuqur, lideri i opozitës ruse

Lideri i opozitës ruse Alexei Navalny mund të jetë helmuar. Dyshimet i hodhi mjekja e tij personale Anastasia Vasiljeva, e cila në një koment në Facebook tha se rivali kryesor politik i Vladimir Putinit kishte shfaqur shenja të forta helmimi nga kontakti me substanca kimike të rrezikshme që mbeten ende mister.

Mjekët e spitalit të burgut në Moskë citohet të jenë shprehur se 43-vjeçari kishte pasur simptoma të një reaksioni alergjik akut. Megjithatë, mjekja personale thotë se Navalny nuk ka vuajtur kurrë më parë nga alergjitë.

Ai kishte pasur enjtje në fytyrë, sy të skuqur dhe acarime të lëkurës në trup. Aktualisht lideri i opozitës ruse ndodhet në qeli pasi kishte marrë mjekime në spital.

Navalny u burgos javën e kaluar për 30 ditë pasi bëri thirrje për protesta të paautorizuara, të cilat u zhvilluan të shtunën. /Tiranapost.al/