Art dhe Kulturë

Emrat/ Ja kush janë 10 kandidatët për çmimin “Kadare”

Emrat/ Ja kush janë 10 kandidatët për çmimin

Juria e edicionit të pestë të çmimit “Kadare”, ka përzgjedhur 10 autorët që do të vazhdojnë garën për çmimin e madh të letërsisë. Juria është mbledhur të shtunën në orën 10:00 në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës për të vijuar më shumë se katër orë diskutime, të cilat konkluduan me 10 finalistët.

Ka qenë një mbledhje e gjatë, ku u shqyrtuan me seriozitet më shumë se 50 dorëshkrime, të cilat u dorëzuan këtë vit pranë këtij çmimi. 10 autorët e përzgjedhur kishin dakordësinë e jurisë, bazuar në vlerat që mbartte secili dorëshkrim. Autorët që vazhdojnë garën për çmimin e madh janë: Faslli Haliti, Ylljet Aliçka, Roland Gjoza, Fate Velaj, Gaverina Muzhaqi, Imer Topanica, Loer Kume, Mimoza Hysa, Majlinda Rama dhe Saimir Muzhaka. Mes të përzgjedhurve spikasin autorë të rinj, mes të cilëve dhe një nga Kosova. Juria këtë vit kryesohet nga shkrimtari Bashkim Hoxha dhe përbëhet nga: Diana Kastrati, Mehmet Kraja, Genciana Abazi dhe Alda Bardhyli.

Juria do ta mbajë mbledhjen e radhës në mes të muajit maj, për të vendosur pesë finalistët e këtij edicioni. Fituesi i çmimit të madh shpallet në Ditët Letrare të Razmës që do të mbahen të premten e parë të qershorit. Çmimi Letrar Kadare është një nga çmimet më të mëdha letrare në hapësirën shqipfolëse.

Në katër vite jetë ky konkurs ka arritur të kthehet në një institucion të rëndësishëm besimi mbi gjykimin e letërsisë dhe të kthejë debatin e munguar mbi letërsinë shqipe. Fakti që konkursi është për vepra në dorëshkrim, ka nxitur dhe nxit shkrimin e prozës shqipe, gjë që vihet re dhe në numrin e madh të dorëshkrimeve pjesëmarrëse në këtë edicion. Më poshtë keni listën emrave, veprat dhe fotot e tyre në galeri.

Autori dhe Vepra

Fate Velaj “Itaka”

Faslli Haliti “Për një gjysmë dielli”

Gaverina Muzhaqi “Velloja e Majës”

Imer Topanica “Lavdi marrëzive”

Loer Kume “Tregime”

Mimoza Hysa “Bijat e gjeneralit”

Majlinda Rama “Lulet e bardha të janarit”

Roland Gjoza “Te deum”

Saimir Muzhaka “Mart Kajani”

Ylljet Aliçka “Metamorfoza e një kryeqyteti” /Liberale.al/ Tiranapost.al.