Aktualitet

Emigrantët rrëfejnë për The Guardian një anë tjetër të francezëve: Na rrahin, na thonë se kemi bërë pis vendin

Qindra refugjatë që jetojnë pranë Parisit me shpresën për të mbërritur një ditë në Britani, thonë se janë bërë subjekt i abuzimit nga shtetasit francezë, duke përfshirë sulmet fizike dhe dhunën seksuale.  Rreth 10% e refugjatëve kanë thënë se flenë gjumë me frikë dhe se nuk ndiheshin të sigurt për shkak se sulmoheshin.

Survejtimi u krye nga organizata bamirëse e të drejtave të njeriut me bazë në Londër e njohur si, Refugee Rights Europe dhe është një nga studimet më të mëdha të pavarura të refugjatëve të bllokuar në Paris. 75% e të anketuarve thanë se kishin përjetuar abuzime verbale nga qytetarët francezë, zakonisht abuzime racore.

Një 29-vjeçar nga Sudani tha: Ata më qëllojnë dhe më thonë: Nuk mund të jetosh këtu, ti e bën pis vendin, jemi mbushur plot me njerëz si ju, na ka ardhur në majë të hundës. Raporti i  publikuar këtë javë, gjithashtu zbulon se një e pesta e  emigrantëve të anketuar pretendonin se kishin pësuar dhunë fizike nga parisienët, ndërsa 5% deklaruan se ishin abuzuar seksualisht nga qytetarët franceze.

Më shumë se një në 10 thanë se njihnin të paktën një refugjat i cili kishte vdekur ndërsa ishte bllokuar në Paris. Një djalë 29-vjeç nga Afganistani tha: "Unë kam njohur shumë njerëz që kanë vdekur këtu. Ata vranë veten. Për shkak të jetesës së keqe dhe presionit ".

Numri i emigrantëve që jetojnë në Paris u rrit në tetor të vitit 2016 pasi autoritetet shkatërruan kampin e njohur si Jungle, në Calais. Mijëra njerëz u zhvendosën në kampe të improvizuara në rrugët e Parisit, me shumë ngurrime për të kërkuar azil në Francë, sepse duan të shkojnë në Britani.

Më shumë se një e treta e të anketuarve thanë se ishin dhunuar nga policia, me 86% të cilët janë sulmuar me gaz lotsjellës. Ndër të intervistuarit ishin 58 fëmijë, shumë prej tyre enden në rrugë të vetëm. Disa kanë të drejtë të hyjnë ligjërisht në Britani, por për shkak të mungesës së informacionit nuk munden të bashkohen me të afërmit në Britani, nën skemën e transferimit të BE-së. The Guardian Tiranapost.al E.B