Showbiz

Ëmbëlsisht duke pritur

Lajme të bukura priten së shpejti nga Adelina Ismaili, Tuna, Bieta Sulo e Alban Dudushi. Personazhet e ekranit që do të bëhen prindër
Ëmbëlsisht duke pritur

Së shpejti tre

Dy çorape të vockla bojëqielli, që u varën në degët e gjelbra të bredhit të festave, gjatë urimit të stafit të Top Channel, ishte mënyra më e bukur që mund të kishin zgjedhur çifti Bieta Sulo dhe Alban Dudushi për të dhënë lajmin e bukur për të gjithë ne. Pas disa vitesh bashkëjetese një bebe do t’i shtohet familjes së tyre të vogël. Shtatzënia e Bietës po shkon më së miri. Së fundmi ajo ka botuar edhe foto duke u ushtruar në palestër, si një mënyrë e mirë për të mbajtur trupin në formë edhe gjatë ditëve të pritjes së ëmbël. Pas rreth tre muajsh, çorapet bojëqielli do vendosen aty ku duhet, në këmbët e vockla të djalit të Alban Dudushit dhe Bieta Sulos.

Fjongo bojëqielli për Tunën

Lajmi për shtatzëninë e Tunës krijoi një zhurmë të madhe nëpër portale e rrjete sociale, duke mbajtur mbërthyer vëmendjen e atyre që lexonin ditë pas dite. Herë thuhej se ishte shtatzënë e herë se ishte lajm i rremë. U desh që ajo vetë, gjatë konkurrimit në Këngën Magjike të pranonte se po priste një fëmijë, që gjithë thashethemet të fashiteshin dhe të fillonte një tjetër kapitull: ai i përgjimit të çdo lëvizjeje të sajës, zmadhimi barkut apo ndonjë shenjë për të kuptuar gjininë. Tani gjithçka është drejt fundit. Tuna do të lindë një djalë.

Zbutja e Adelinës

Në një intervistë nga ato që Adelina Ismail i jep rrallë e më rrallë, vetë ajo pranoi se kish kohë që ndihej mire pa vëmendjen e publikut e gazetarëve. Porse ishte periudha më e bukur e jetës së saj që e zbuti dhe e bindi se një rrëfim për shtatzëninë ia vlente, për të shuar gjithë kërshërinë. U duk e paqtë dhe e plotësuar, e qetë dhe e lumtur si dielli pas stuhisë që i shkaktoi humbja e nënës së saj. Adelina rrëfeu gjithë kënaqësi detaje nga ditët e pritjes së ëmbël. Fjalët e këngët, veshjet e përgatitjet. Por pa rrëfyer ende gjininë e bebit, që ne do ta mësojmë së shpejti. Sapo të vijë në jetë.