• Shqip
  • English
  • E hënë, 23 Shtator 2019
  • Shqip
  • English
  • Lifestyle Nën lupën e Stela Sallakut Personazh TIP top

    Elvana fustanin apo fustani Elvanën?


    Klaudeta Skënderasi

    Fundjava që shkoi, përveçse na dhuroi ditë të ngrohta e plot diell, na ngrohu edhe me dy lajme të mira: rrëmbimi i tre çmimeve nga Ermal Meta në Sanremo dhe prania e Elvana Gjatës në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Grammy 2017. Ka dy ditë që mediat ziejnë për suksesin e të dyve dhe sa mirë që bëjnë! Kemi aq shumë nevojë për ca lajme të mira. Më në fund po merremi edhe ne me pak jetë tapeti të kuq prej vërteti.
    Artistët e botës që ne e lakmojmë aq shumë, tapetin e kuq e kanë institucion më vete, çmim të dytë pas statujave që marrin në skenë. Përpos një skuadre menaxherësh e producentësh që prodhojnë hitet, një armatë e tërë konsulentësh imazhi, stilistësh, estetistësh, parukierësh e grimierësh djersijnë mbi këngëtaret VIP, për t’u mundësuar një vend sa më të mirë në klasifikimin e famshëm të të veshurave më mirë e për t’i shpëtuar atij tjetrit, të të veshurave më keq. Ai parakalim aq i bujshëm ka vetëm atë qëllim. Mbi atë tokë të kuqe pak rëndësi ka nëse ke kënduar një hit që ka marrë miliona klikime apo ke kryesuar klasifikimet më të rëndësishme botërore. Fustani, fustani ka rëndësi.

    Mund të jesh një divë dhe zgjedhja e gabuar e fustanit të të klasifikojë si të veshurën më keq, siç mund të jesh një këngëtare e panjohur shqiptare, që shkel aty për herë të parë e që zgjedhja e duhur të të renditë ndër të veshurat më bukur. Në rastin e Elvanës ky do kishte qenë skenari perfekt. Por fakti që nuk ndodhi, do të thotë që nuk kishte bërë zgjedhjen e duhur.
    Elvana është një këngëtare shumë e mirë dhe po synon të depërtojë tregun muzikor ndërkombëtar nëpërmjet zërit e talentit dhe jo hireve e fustaneve. Patjetër që po. Ajo ka punuar fort dhe e meriton të jetë aty për njëmijë arsye. Vetëm se eksperienca botërore na ka treguar se edhe intuita për ta përdorur imazhin si armë të fuqishme në favor të figurës artistike ka gjithaq rëndësi. Se përndryshe, Jennifer Lopez, me një sukses të garantuar në katër cepat e globit, do parakalonte në tapetin e kuq veshur me xhinse, kurse Beyonce do vishte një fustan basme, që do t’i mbulonte barkun e fryrë. Në fakt, jo vetëm që s’e mbuloi, por bëri një performancë me barkun e lakuriqtë, që nuk ngeli njeri më këmbë pa e adhuruar.
    Menjëherë më pas erdhi klasifikimi i bujshëm. Jennifer Lopez, Beyonce, Adele, kryesojnë renditjen e të veshurave më bukur. Po veshja e Elvanës çfarë problemi pati që u rendit ndër të veshurat më keq? Kemi pyetur stilisten Stela Sallaku…

    elvana gjata

     

    elvanaaaaaaaaa

    “Jo çdokush mund të marrë një ftesë në Grammy dhe këtë vit edhe Shqipëria pati një përfaqësuese, e cila na bëri të gjithëve krenarë. Kur me shpejtësi hapa rrjetet sociale për të parë veshjen, ngela pak e befasuar, jo për mirë, kuptohet. Golfi i leshtë i punuar s’ka asgjë të keqe, kur bëhet fjalë për një festë në ambient të hapur, si dhe preferohet të vishet në një sezon afër stinës që i takon. Le të themi që po të ishte veshur në nëntor ose tetor, do ishte më se i pranueshëm. Problemi më i madh qëndron me mosbalancimin e veshjes si lart dhe poshtë. Pra, nëse sipër kemi një veshje të ngarkuar dhe me mëngë voluminoze, golf po ashtu, preferohet që dhe në pjesën e këmbëve të ketë një farë kompensimi, që të mos dukemi sikur kemi bashkuar dy stinë në një veshje. Stiletto-t janë në pranverë dhe fustani është në dimrin e Antarktidës. Dhe e treta, vijat e punimit të dorës në pjesën e sipërme të bluzës, ose golfit si të doni quajeni, janë më të gjera se në pjesën e fundit. Pra, duket sikur vijnë dhe ngushtohen. Këto janë disa detaje që duken me sy të lirë dhe konsiderohen gabim në qepje. Astari pastaj duket që në pjesët e bashkimit me “fundin e leshit” ka marrë dallgë, sepse trikoja si material ka tendencë të zgjerohet më tepër. Pra përveçse nuk shohim “haute couture” ose punim dore të cilësisë së lartë, nuk mund ta quajmë as fustan ready-to-wear. Better luck next time”, përfundon stilistja.

    elvanaaa

    elvanaaaaaa

    Kush ia ka qepur fustanin Elvanës? Ata që kanë qenë të sigurt se është dora e Valdrin Sahitit, që prej aq kohësh krijon veshjet e saj dhe që e ka kuruar shumë herë me aq sukses, gabohen. Se përse Elvana nuk zgjodhi atë por një stilist libanez me emrin Nicolas Jebran, nuk dihet. Në profilin e tij në Instagram, stilisti Valdrin Sahiti shkruan përkrah fotos së mikeshës së tij: …e si mund të parakaloje ti në një tapet të tillë.. pa u vërejtur, pa u zhvesh, pa lënë nam me skandale, pa fjalë… thjesht kalove”.

    valdrin
    Nëse qëllimi i Elvanës ka qenë thjesht të kalojë, atëherë misioni është përmbushur me sukses. Nëse ka pasur qëllim edhe të kalojë edhe të bjerë në sy si një artiste e bukur dhe me klas (pse duhet patjetër të shkaktojë skandal?), ndoshta midis zhveshjes që thotë Valdrini dhe fustanit me golf, duhet të kishte një zgjedhur një të mesme, që zakonisht rezulton e artë.
    Kaq për sa i përket fustanit, që edhe pse mbetet një diskutim vanitoz, është strategji më vete. Sa për të tjerat, prania e Elvana Gjatës në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Grammy, ishte vërtet një lajm i bukur i kësaj fundjave me diell.

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690