Art dhe Kulturë

Elif Shafak: Të gjithë thonë “I love Rumi”

Në një periudhë historike në të cilën bota ishte e ndarë, ai kërkonte të bashkonte njerëzit. Në atë kohë ku mbizotëronte urrejtja, ai fliste për dashurinë. Ishte një rebel, por pa përdorur asnjë mjet dhune. Kishte një shpirt të fortë, por plot dhembshuri. Zëri i tij tejkaloi kufijtë kombëtar, ashtu sikundër edhe ndasitë fetare apo diversitetin etnik duke përqafuar gjithë qeniet njerëzore. Edhe pse i lindur në shekullin XIII, Rumi është një njeri pa kohë.
Elif Shafak: Të gjithë thonë “I love Rumi”

“I love Rumi” shkruhet në bluza, këndohet në këngë, titullohen dokumentarë në televizion dhe gjendet në majën e klasifikimit të librave. Me plot gojën mund të thuhet se “Rumi-mania” ka pushtuar Shtetet e Bashkuara. Ai është poeti më i madh mistik i të githa kohërave, me origjinë persiane, i quajtur Homeri, Dantja apo Shekspiri i lindjes. Elif Shafak, shkrimtarja më e lexuar në Turqi dhe një prej njerëzve më të apasionuar pas figurës së Rumit, pak vite më parë ka botuar librin “Dyzetë rregullat e dashurisë”, frymëzuar nga Rumi. Rezultati? Kryesimi i listës së librave më të shitur në Shtetet e Bashkuara.

Elif Shafak, a mund të na e shpjegoni ju se ç’po ndodh me Jalal ad-Din Muhammad Rumi, i lindur në vitin 1207 por që sot ka qindra mijëra fansa në një vend si Shtetet e Bashkuara?

Për ta kuptuar duhet t’i afrohemi esencës së filozofisë së tij. Besoj se sekreti qëndron te zëri i tij, që me të vërtetë ishte universal. Në një periudhë historike në të cilën bota ishte e ndarë, ai kërkonte të bashkonte njerëzit. Në atë kohë ku mbizotëronte urrejtja, ai fliste për dashurinë. Ishte një rebel, por pa përdorur asnjë mjet dhune. Kishte një shpirt të fortë, por plot dhembshuri. Zëri i tij tejkaloi kufijtë kombëtar, ashtu sikundër edhe ndasitë fetare apo diversitetin etnik duke përqafuar gjithë qeniet njerëzore. Edhe pse i lindur në shekullin XIII, Rumi është një njeri pa kohë.

Por përse tani dhe përse në Shtetet e Bashkuara?

Mos ta harrojmë se në Amerikë feja ka pasur gjithmonë një rol të rëndësishëm për të luajtur si në hapësirën publike ashtu edhe në atë politike. Por duhet të kujtojmë se edhe sot jetojmë në një botë shumë të ndarë, plot frikë, urrejtje, ndarje, polarizime. Dhe pikërisht si në kohën e Rumit, sot ka shumë inate, pasiguri dhe konfuzion. Nga pikëpamja politike, sot në gjithë botën ka më shumë nacionalizëm, tribalizëm, fanatizëm fetar dhe izolim. Demagogët populistë bëjnë që këto ndjenja të dalin në sipërfaqe. Ka shumë si këta demagogë, në lindje dhe në perëndim, që duan të ndërtojnë mure sa më të larta dhe të mbjellin politikën e frikës. Rumi nuk ndërton mure, por ura. Për ata njerëz që nuk i mbështesin fetë e organizuara dhe dogmatike por janë të interesuar në udhëtimet e brendshme shpirtërore, Rumi është një ndihmesë goxha e rëndësishme.

Po ja për shembull, si lindi pasioni juaj për të?

Para se ta them, duhet të qartësoj se nuk jam aspak një njeri fetar. Madje nuk jam as besimtare, sepse nuk më pëlqen qartësia e besimit, fortësia e tij, dogma. Por nuk më pëlqen as qartësia e ateizmit. Njerëzit e besimit duan të flakin tutje “dyshimet”, por dyshimet janë të rëndësishme. Gjithmonë duhet të dyshojmë, madje edhe për veten tonë. Kjo nënkupton të përparosh. Por nga ana tjetër ateistët nuk duan të kenë të bëjnë me besimin, por edhe besimi është i rëndësishëm. Në jetë ndodhin edhe gjëra magjike, që nuk mund të shpjegohen me logjikën e pastër.

Po ju ku ndodheni?

Jashtë këtij dualizmi. Kjo është ajo që bën misticizmi, refuzon të jetë pjesë e një dualizmi të thjeshtë. Ajo që më pëlqen më së shumti është kërcimi mes besimit dhe dyshimit. Dua t’i shoh të kërcejnë pafund në një valz të bukur. Si qenie njerëzore kemi nevojë për besim dhe dyshim, për të dyja bashkë. Prandaj edhe jam ndjerë gjithmonë pranë agnosticizmit (Rrymë filozofike idealiste, që mohon mundësinë e njohjes së botës objektive dhe të ligjeve të zhvillimit të saj) dhe si një shkrimtare e tillë natyrisht që duhet të interesohem për Rumin, siç interesohem edhe për misticizmin hebre dhe atë të krishterë. Përse duhet të kemi kufij?

U bëtë më mistike pasi njohët Rumin?

Interesimi im për misticizmin filloi që në kolegj. Isha një studente feministe, anarkiko-ambientaliste e majtë. Kisha zero interes për misticizmin. Më pas fillova të lexoj mbi këtë gjë, lexova mbi Shamsin e Tabrizit, njeriu që transformoi Rumin. Shamsi ishte i mrekullueshëm. Vijova të lexoj taoizmin, budizmin, kabalan, ateizmin, agnosticizmin... Duhet të vazhdojmë të lexojmë, pa rreshtur kurrë, pa menduar asnjëherë se “dimë gjithçka”. Unë jam studente e jetës dhe dija nuk mbaron kurrë. Kështu kam mësuar shumë jo vetëm nga Rumi, por edhe nga shkenca, nga filozofia, filozofia politike, nga letërsia, feminizmi. Jam nomade, gjithnjë në kërkim të mësimeve të reja.

Çfarë ju pëlqen më shumë nga poezia e Rumit?

Në fillim nuk ishte poet, por studiues. U bë poet pasi takoi Shamsin dhe është e pamundur të kuptosh poezinë e Rumit pa kuptuar më parë atë të Shamsit, megjithëse ky i fundit sot është shumë më pak i njohur. Ishte shumë kritik ndaj fanatikëve, tallej me hipokrizinë, me të pasurit dhe të fuqishmit dhe i trajtojnte të gjithë njësoj: prostituta, lebrozë, të varfër... të gjithë ishin njësoj për sytë e tij. Shamsi mendonte se ekzistojnë mënyra të ndryshme për t’u lutur. Dikush e bën duke përsëritur të njëjtat fjalë, dikush përmes kërcimit dhe muzikës. Ky ishte ekstremi i atyre ditëve që vazhdon edhe sot. Shamsi ishte prej zjarri, Rumi prej uji. Gjëja më interesante është se si uji mund të donte zjarrin dhe zjarri të donte ujin.

Çfarë ndjesie morët nga lexuesit kur romani juaj “Dyzetë rregullat e dashurisë” u ngjit në majën e klasifikimit në Amerikë?

Kam marrë dhe vazhdoj të marr emaile dhe letra aq të bukura nga lexuesit e librit. Kanë ndarë me mua historitë e tyre personale, sekretet, nuk kanë thënë thjesht “u kënaqa duke lexuar”, por më kanë shpjeguar me detaje se çfarë kuptimi kishin për ta ato faqe, më shpjeguan pse libri kishte prekur zemrat e tyre. Dhe kjo gjë për mua është shumë e çmuar.

Vargu juaj i preferuar nga Rumi?

Ndryshon me kohën. Këto ditë është: mos ji studiues, ji i çmendur pas dashurisë./Përgatiti Erjon Uka për “Blogu i rërës” në Tiranapost.al