Aktualitet

Përplasja te “Petro Nini”: Përmbaruesi i bënte sehir dhunës

Përplasja te “Petro Nini”: Përmbaruesi i bënte sehir

Përplasja për truallin e banesës te “Petro Nini” tërhoqi vëmendjen e opinionit publik dhe vetëm sot, tre ditë pas incidentit, reagon edhe Dhoma Kombëtare e Përmbarimit. Ajo dënon dhunën dhe deklaron se pjesë e përplasjes u bënë persona të cilët nuk kishin pozicionin e përmbaruesit.

Sipas Dhomës së Përmbarimit përmbaruesi dështoi në zbatimin e vendimit të gjykatës, dështoi në zbatimin e detyrave të tij, si dhe shton se persona që nuk ishin përmbarues shkelmonin dyert e ndërtesës, ndërsa përmbaruesi i bënte sehir dhunës.

"Përmbaruesi ka detyrë ligjore të marrë masa për ekzekutimin e një vendimi në respekt të dinjitetit njerëzor dhe kjo nuk ndodhi, kur mediat transmetuan pamjet e rënda për një shoqëri të qytetëruar, ku dinjiteti njerëzor dergjej në rrugë dhe lot fëmijësh shoqëruan live ekzekutimin e një vendimi gjykate. Ky nuk është dhe nuk mund të jetë përmbaruesi që i shërben komunitetit në një funksion publik. Mediat transmetuan pamje të shëmtuara, teksa persona që nuk ishin përmbarues gjyqësorë dhe nuk kanë asnjë lidhje me përmbarimin, shqelmonin dyert e ndërtesës për ekzekutimin e një vendimi gjykate. Kjo, në prani të dhjetëra forcave policore. Ekzekutimi i një vendimi gjykate nuk përmbushet me “shqelmat dhe levat” e kreditorit të interesuar apo ndihmësve të tij, as nga përmbaruesi që i bën sehir dhunës, aq më tepër në prani dhe me ndihmën e Policisë së Shtetit", thuhet ndër të tjera në deklaratën për mediat./ Tiranapost.al