Aktualitet

Ekspozitë për emigrantët dhe gjërat që mbajtën ata deri në fund

"Arti me motive politike është i vështirë për tu realizuar. Por kur realizohet, ja vlen që të shikohet. Në epokën e “mureve të mëdha” dhe “meshkujve të ligë”, për ekspozitën “State of Exception/Estado de Excepción” e cila është paraqitur në Shkollën e Dizajnit Parsons në New York ja vlen barra qiranë" shkruan e përditshmja New York Times.

Ekspozita që në hyrje nis me një video instalacion, që të jep përshtypjen e rrymave të forta të ujit të paraqitura në dysheme të cilat vinë drejt jush dhe më pas ju duhet të kaloni mbi të, çka të jep ndjenjë tmerri.

ekspozita1

"Imazhet nuk paraqesin ujin me të vërtetë por copëzat e gjërave të njerëzve si rroba, çanta krahu e shishe uji, të cilat bashkohen me njëra tjetrën me një forcë të paparë. Ndërsa nga etiketat në mur ju mësoni prejardhjen e tyre. Ato vinë nga emigrantë të paligjshëm të cilët hyjnë në Shtetet e Bashkuar të Amerikës e nga Meksika përmes shkretëtirës Sonoran në Arizona, një nga më të nxehtat", është përshkrimi që i bën ekspozitës, Holland Cotter kritik i artit në gazetën New York Times.

Ekspozita është organizuar nga artistja Amanda Krugliak dhe fotografi Richard Barnes, në bashkëpunim me antropologun Jason De León.

Një pjesë e murit është e mbushur me çanta, ndwrsa në anën tjetër mund të gjenden edhe gjëra personale të ruajtura përmes fotografive. Pastaj syze, protezat, shishe ilaçe, tespihe, fotot e Virgjëreshës së Guadalupe, ruajtur të gjitha në qese plastike transparente që janë pjesë e një arkivi nga organizata jo-qeveritare e formuar për të gjetur të afërmit e emigrantëve të vdekur ose të zhdukur.

ekspozita3

Instalacioni gjithashtu përmban edhe audio incizimi të intervistave që De Leon (profesor në Universitetin e Michigan-it , i cili është edhe themelues i projektit për imigracion legal) ka realizuar me emigrantët. Ekspozita është hapur më 3 shkurt kurse do të qëndrojë deri më 17 prill./ Përshtatur nga New York Times E.D.