• Shqip
  • English
  • E diel, 25 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Anti-Politika Opinion Të gjitha

    Ekipi “Shpresa” i 25 qershorit!


    Nga Alfred Peza

    ANTIpolitika

    Ka një garë të pashpallur mes partive politike, për të vendosur në listat për deputetë, sa më shumë kandidatë në moshë të re. Duke u rrekur për ta shitur të gjithën këtë, si një politikë të re. Si një tendencë që sjell risi. Si një mundësi të re për Shqipërinë. Apo si një politikë të të rinjve, për të rinjtë dhe me të rinjtë. Një qasje që tenton jo vetëm të joshë një nga kolonat kryesore, një nga target grupet më dinamike dhe më të mëdha të fushatave elektorale, por edhe prindërit dhe familjet e tyre. Aq shumë e theksuar po bëhet kjo garë tek disa liderë politikë të partive, sa të krijohet përshtypja sikur më 25 qershor do të zgjidhen kryetarët e forumeve rinore dhe jo 140 ligjvënësit e Parlamentit të ri. Ç’ka në vend që t’ia rrisi seriozitetin jo vetëm garës elektorale, por edhe të politikës vetë, e bën atë të duket si një lojë e bukur “fëmijësh”. Në vend të një gare për “Shqipërinë e gjeneratës tjetër”, duket sikur e gjitha po shndërrohet në një garë të “Shqipërisë së gjeneratës tjetër”.

    Për këtë mjafton ti hedhësh një vështrim të vëmendshëm listës së kandidatëve për deputetë të tri partive kryesore parlamentare. Menjëherë kupton se nuk bëhet fjalë për ndonjë “shpikje”, ekzagjerim, por për një realitet. Sa më e madhe partia politike, aq më i ulët është numri i atyre që janë në garë për tu bërë deputetë, të cilët kanë lindur pas vitit 1990. Një vit historik ky, që ndau dy epokat në Shqipëri dhe një distancë e mjaftueshme 27 vjeçare tashmë, për të dalluar më mirë ekipin “kombëtar” të politikës nga ai “shpresa”. Brezin e “milenilalëve”,- të atyre që u lindën e u rritën në kapërcyell të mijëvjeçarit të ri,- nga ai i mëparshmi. Vëzhgimi im ka marë parasysh këtë vit, si një kufi të qartë e të pranueshëm besoj, për të kuptuar më mirë, thelbin e këtij diskutimi.

    Partia Socialiste ka në listat e veta, vetëm gjashtë kandidatë për deputetë që kanë lindur në vitin 1990 e këtej. Pra që janë 18-19 vjeçarë e deri 27-28 vjeçarë dhe që aspirojnë për të qenë përfaqësues të popullit shqiptar në Parlamentin e ardhshëm. Nga të cilët, dy kandidatë janë në qarkun e Tiranës, dy në Elbasan, një në Fier dhe një tjetër garon në qarkun e Lezhës. Të cilët janë pozicionuar në përgjithësi, në pjesën humbëse të listave, ose në klonin që ndan pjesën fituese me atë jo fituese. Kryesisht janë drejtuesit kryesorë të FRESSH, të përzgjedhur pas një eksperiencë shumë të mirë, nga një garë interesante që u zhvillua gjatë vitit të fundit, në përpjekje për ristrukturimin, modernizimin dhe dinamizimin e kësaj organizate rinore.

    Partia Demokratike ka përfshirë në listat e kandidatëve për deputetë, 21 persona të kësaj grupmoshe. Nga të cilët nga një në qarqet Dibër, Durrës, Gjirokastër, Vlorë e Lezhë. Dy në Shkodër. Nga tri kandidatë në Elbasan, Fier e Korçë dhe pesë në qarkun e Tiranës. Pothuajse asnjë prej tyre nuk vjen nga strukturat drejtuese të FRPD dhe me ndonjë përjashtim shumë të rrallë, pothuajse të gjithë janë në pjesën më fundore të secilës prej listave. Që do të thotë, se me përjashtim të një kandidature në Tiranë, që është renditur i 14 në listë, asnjë prej tyre nuk pritet që te jëtë në shtator, në sallën e Parlamentit të ri.

    Ndërkohë që LSI, ka përfshirë në listën e saj, 35 kandidatë për deputetë, të grupmoshës së atyre që kanë lindur pas vitit 1990. Ku gjysma prej tyre, plot 17, figurojnë në listën e qarkut të Tiranës. Kësaj partie i takojnë edhe dy kandidaturat me moshën më të vogël, të cilët kanë lindur në vitin 1998 dhe janë sot diku mes 18 dhe 19 vjeç. Pavarësisht këtij masiviteti, nisur nga renditja e tyre nëpër listat e qarqeve, përveç deputetes aktuale Kejdi Mehmetaj dhe ndonjë tjetri në Tiranë, ka pak gjasa që kandidatët e tjetrë të kenë mundësinë reale për të qenë deputet më 26 qershor. Të gjitha kandidaturat e përfshira në listat e kësaj partie, vijnë nga LRI e cila është një organizatë shumë aktive dhe konsiderohet si një nga pikat më të forta të LSI, nga vetë drejtuesit kryesorë të saj. Aq sa ish- Kryetari Meta citohet të jetë shprehur herë pas here se “duhet ta bëjmë edhe LSI-në, si LRI-ja”.

    Një nga partitë me më shumë kandidatura në moshë të re, të lindur pas 1990, ka edhe partia “Libra” e Ben Blushit, të cilët zenë pothuajse gati gjysmën e vendeve në listë. Ku edhe këtu, pothuajse nuk ka fare shanse që ndonjëri prej tyre të jetë nesër, pjesë e sallës së 140 deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë. Ç’ka në tërësinë e vet, duket sikur nga një grupim kaq shumë i madh të rinjsh që popullojnë listat e partive, vetëm një numër jashtëzakonisht shumë i ulët që mund të numërohen me gishtat e një dore, arrijnë që të përmbushin ëndrrën e tyre të madhe për të qenë pjesë e ekipit “Kombëtar” të politikës shqiptare. Ç’ka tregon se liderët politikë po i përdorin të rinjtë, thjeshtë si fasadë për garën elektorale. Gjë që mund ti motivojë ata, shokët dhe shoqet apo edhe familjet e të afërmit e tyre, në një plan afatshkurtër. Por në një këndvështrim më afatgjatë, kjo mund ti dëmtojë jo vetëm ëndrrat e të rinjve, por edhe vetë partitë që ndjekin një strategji të tillë.

    Por siç thotë edhe Fevziu, “politika nuk ka moshë”. Ndaj edhe “Shpresa” vdes e fundit. Për aq kohë sa në listat e këtyre zgjedhjeve, nëse qëmton me kujdes, gjen xhevaire statistikore. Përshembull në Tiranë, PD ka në listën e saj një kandidat katër vjet më të madh në moshë se lideri i saj historik Sali Berisha. Pavarësisht se ky kandidat renditen i 50-ti në një qark që arrin të “prodhojë” 34 mandate deputetësh, ai besoj ndihet i realizuar për këtë. Pasi duke qenë i vitlindjes 1940, në moshën 77 vjeçare ka hyrë në statistikat e KQZ si kandidat zyrtar për deputet. Por ka edhe më të vjetër se ai. Pasi në listat e PDIU për Tiranën ka kandidatë që kanë lindur në vitin 1939, sikundër një tjetër bashkëmoshatar me të, i listës së PKSH. Megjithatë, nuk është ky rekordi. Pasi po nga PKSH një kandidat ka lindur në vitin 1935. Ndërsa një tjetër, është edhe një muaj e gjysëm më i madh se ai, duke u bërë kandidat për deputet i PKSH në Durrës, në moshën 82 vjeç e tre muaj. Ndaj, për të gjithë ata kandidatë për deputetë që nuk fitojnë këtë radhë, kemi një këshillë. Siç e shikoni, nuk është fundi i botës të mos jesh në Parlament. Keni gjithë jetën përpara për ta provuar shansin, sërish.

    *E drejta për ribotim vetëm me lejen e editorit të Tiranapost.al