25 Rreshtat e Mirës

Eja komunikojmë pak, se ngelëm duke folur!

Mira Kazhani/ Sot u mbushën dy vjet nga vdekja e Umberto Echo-s. Një italian i thellë, intelektual 24 karat, që brezi i ri po e njeh më shumë nga shprehja e tij e famshme online për 'imbeccilet' e rrjeteve sociale. Në fakt, e ka thënë aq mirë sa nuk ka. Është kaq e vërtetë që sot e drejta e fjalës i është dhënë kujtdo në publik, pa kurrfarë pengese. Në një letër të mrekullueshme, drejtuar nipit të tij, intelektuali tregon sa e pazëvendësueshme do të mbetet jeta me prani, pranë dhe jo online!

Sigurisht që burrat si Echo, pas 100 vjetësh do t'i kujtojnë si zbulimin e penicilinës, si Kullë Eiffel, si shpikjen e internetit. Sot, fëmijët më parë mësojnë app-se dhe ikona sesa të flasin. Nipi im i vogël, para se të thoshte mami dhe babi, dinte të shkonte vetë në youtube. Në pamje të parë, të gjithë duket se komunikojmë shpejt dhe lehtë, pa u lodhur me pritje ta gjata. Sot, politikanët komunikojnë në Facebook me statuse dhe kur ata nuk shkruajnë quhen dembelë.

Sot i kemi të gjitha: internet, telefon, whatsapp, viber, internet, roaming, video call..., por ndërsa flasim më shumë, më shpesh, sa herë të na dojë e bardha zemër, komunikojmë më pak. Teknologjia e të folmes po e kryqëzon komunikimin tonë. Kjo e folme pa pushim e shndërruar në atë retorikën kërcënuese, që fliste me aq shumë shqetësim Umberto Echo, po i bën lavazh trurit të qytetarit të botës së re, që do donte të ishtë e vjetër, ndonjëherë, të dielave të paktën.

Sa më shumë flasim aq më pak komunikojmë, për fat të keq. Ndoshta pas 10 vitesh do shpiket tjetër kiamet dhe tmerri i sotëm do na duket kismet! Copyright/ 25 rreshtat e Mirës është një rubrikë e përditshme e tiranapost.al