Aktualitet

Edukatorët abuzues, Manastirliu: Kamera në institucione, ja si do mbrohen fëmijët

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu lajmëroi vendosjen e dy elementëve shumë të rëndësishëm për të parandaluar abuzimet e mundshme në institucionet e përkujdesit.

“Përveç vëzhgimit me kamera, ne do të përfshijme një element të ri në institucionet tona: Do të kemi ‘agjentët e mirërritjes së femijëve’, që do të kenë përgjegjësi të sinjalizojnë në kohë reale për çdo sjellje të palejuar, me qëllim mbrojtjen e fëmijëve nga çdo situatë brenda institucionit”, tha Manastirliu.

Gjatë takimit, Milena, e cila është familje kujdestare për një vajzë 2 vjeçare pa përkrahje prindërore, bëri thirrje për t’ju bashkuar kësaj iniciative sepse, siç u shpreh ajo, sado kujdes të ketë një institucion, fëmija e ka vendin pranë një familje.

Maria, një nënë që është në procedurë birësimi të një vogëlushe 1-vjeçare shprehu dëshirën për ta patur sa më pranë familjes fëmijën e saj.

Gjithashtu Demokrati, një i ri që ka lënë institucionin, Shtëpinë e Fëmijës ‘Zyber Hallulli’ dhe është integruar në jetën sociale tregoi historinë e tij për të frymëzuar çdo të ri të institucioneve të përkujdesit, se mund t’ja dalësh, pavarësisht vështirësive.

Takimi i realizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u mbështet edhe nga UNICEF. Z. Roberto De Berndardo, përfaqësues i UNICEF për Shqipërinë vlerësoi planin, duke garantuar mbështetje për të mundësuar që çdo fëmijë të ketë një mundësi për të patur një familje./ Copyright Tiranapost.al