• Shqip
  • English
  • E hënë, 18 Nëntor 2019
  • Shqip
  • English
  • Art & Kulturë Libra Të gjitha

    E zgjodhët vetë, “Hide mbi kalldrëm” romani shqiptar më i pëlqyer


    Prej vitesh sondazhet e fundvitit në media organizohen për të shpallur njeriun e vitit, i cili “çuditërisht” shpesh herë qëllon të jetë politikan. Por këtë vit të gjithë lexuesit kishin mundësi “të merrnin revansh” e të mund të zgjidhnin librin e vitit.

    Mbi 70 tituj u ofruan online duke i dhënë mundësi lexuesve të votonin, e në këtë listë nuk kishte si të mungonte “Hide mbi kalldrëm”. Në një kohë kur letërsia shqiptare shpesh herë paragjykohet dhe lihet në plan të dytë, Tom Kuka (pseudonimi i autorit) duket se ka ditur të depërtojë suksesshëm në bibliotekat e lexuesve.

    Nga votimi, libri më i pëlqyer i vitit u shpall “Muza e haresë” nga Goliarda Sapienza, ndërsa në vend të dytë “Hide mbi kalldrëm” nga Tom Kuka. Treshen e parë e plotëson “Një burrë i quajtur Uve” nga Frederick Backman. Por Tom Kuka është i vetmi autor shqiptar në 25 librat më të preferuar të lexuesve dhe kjo jo rastësisht.

    Romani “Hide mbi kalldrëm” flet për Tiranën e viteve ’30, vitet e një Shqipërie që më në fund ka një emër, një qeveri dhe një kryeqytet. Dhe ç’kryeqytet! Tirana na shpaloset me tonalitetet e një fotografie bardhezi, në të cilën,  falë një rrëfimi mjeshtëror, ndiejmë kutërbimin e kanalizimeve në qiell të hapur, të djersës së mëditësve, të qenve që rrëmojnë rrugëve, por edhe erën e sapunit të rrobave, të gatimeve në shtëpitë përdhese dhe të frutave që rëndojnë në pemët e oborreve të tyre. Pluhuri i bardhë i allçisë dhe i rrugëve na mahis sytë dhe gëlimi i zhurmshëm i vegjëlisë në pazar na vret veshin. E në këtë zallahi zërash e personazhesh, Di Hima, kryehetuesi i Tiranës, një burrë i mençur, me karakter tërheqës dhe ende i pamartuar, heton mbi vrasjen e Andon grekut, duke zbuluar një botë sekretesh e shantazhesh, nga e cila mund ta shpëtojë vetëm një dashuri e thjeshtë dhe e paqtë. Autori, i fshehur pas pseudonimit të Tom Kukës, shpalos një tablo groteske e njëkohësisht mallëngjyese të një Shqipërie të skamur,të uritur e të nëpërkëmbur, ku jeta e njeriut nuk vlen asnjë dyshkë e ku nderi është vetëm një fasadë për sytë e botës.

    Kështu pra, nëse dëshironi që këto ditë festash t’i kaloni në shtëpi me një gotë çaj duke lexuar, mos humbni kohë duke pritur sugjerime. Siç e thotë edhe vetë anketa për Librin e Vitit, “Ju e zgjodhët vetë!”, prandaj në librari zgjidhni “Hide mbi kalldrëm”./Tiranapost.al

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post