Aktualitet

E vranë për një karikues celulari, prokuroria zbardh vrasjen e Marvi Mihalit: Ishin pesë autorë

E vranë për një karikues celulari, prokuroria zbardh vrasjen e

Një vit më parë vritet me thikë në Tiranë, Marvi Mihali, pas debateve për një karikues celulari, ndërkohë që tashmë hetimet kanë marrë një tjetër rrjedhë për shkak se Prokuroria e Tiranës ka zbuluar se nuk kanë qenë katër persona që e kanë sulmuar viktimën, por pesë.

Personi i pestë ende nuk dihet se cili është, por Prokuroria thotë se ka dëshmitarë që do të dëshmojnë për të dhe se ai ka qenë i armatosur me armë të ftohtë.

Prokurori Gjergj Tako tha se historia e konfliktit nisi pas shitjes së një celulari pa karikues nga shtetasi Armend Haxhiu te Dejvi Bitraj. Ky i fundit i kishte shkuar disa herë Haxhiut t’i merrte karikuesin, por nuk e kishte zgjidhur konfliktin.

Mbrëmjen e 1 gushtit 2017, Dejvi Bitraj ka mbledhur një grupin e tij, të cilët janë vendosur në pozicione të posaçme në vendin ku ndodhi vrasja. Ai më parë kishte komunikuar me Haxhiun dhe kishin vendosur të konfliktoheshin. Nga ana tjetër, edhe Armend Haxhiu kishte marrë me vete disa persona, ndër ta edhe Marvi Mihalin. Sipas prokurorit, i cili bazuar në pamjet e kamerave të sigurisë sekuestruar në bizneset pranë vendit të ngjarjes, thotë se, si fillim, sherri nisi midis Haxhiut dhe Dejvi Bitrajt, ndërsa më pas grupi i Bitrajt qëlloi edhe viktimën.

Prokurori Tako tha se grupi përbëhej nga pesë persona dhe të paktën dy prej tyre ishin të armatosur me mjete të ftohta.