Aktualitet

Babai tregon si zbuloi se vajza e sëmurë mendore abuzohej seksualisht nga i moshuari. 71-vjeçari i lirë

Babai tregon si zbuloi se vajza e sëmurë mendore abuzohej seksualisht

Prej majit të këtij viti prindërit e një 22-vjeçare, me të cilën ka abuzuar seksualisht një i moshuar, kërkojnë drejtësi. Ngjarja ka ndodhur në Poliçan dhe rasti u denoncua sot nga emisioni “Fiks Fare”, viktima është një vajzë e cila vuan nga probleme të shëndetit mendor, abuzuesi fqinji i saj 71-vjeçar.

Nga akti i ekspertizës, u zbulua se me vajzën kishte kohë që abuzohej, ndërsa ngjarja u zbulua nga i ati më 3 maj.

“Këtu gjeta fqinjin tek qëndronte i shtrirë mbi vajzën, mbuluar me batanije po tentonte të kryente aktin e turpshëm. Në momentin kur hyra në shtëpi, vajza u shkëput nga i moshuari dhe u hodh për ndihmë në këmbët e mia. Ndërsa fqinji më tha ‘Për këtë që të bëra unë ty, më vrit’. Thirra policinë që të hetonte ngjarjen”, kujton babai i të abuzuarës.

Pavarësisht se në momentin e arrestimit i moshuari e pranoi veprën, u vendos që të hetohej në gjendje të lirë. Nga ana tjetër prokurori i çështjes është shprehur se do të marrë kohë vendimi:  “Gjëja ruhet sa mos të ndodhi, se po ndodhi, këto punë ke, deri sa të mbarojnë gjyqet”.

Gjykata ende nuk ka vendosur një datë për nisjen e gjykimit të çështjes. Prindërit e të abuzuarës janë shprehur se për shkak të gjendjes shëndetësore të vajzës, e cila nuk komunikon dot përveç lëshimit të pasthirrmave, e mbanin të mbyllur në shtëpi për ta ruajtur nga një situatë e tillë./ Tiranapost.al