Aktualitet

E priti të fejuarin për 14 vite. Historia e veçantë e dashurisë së çiftit nga Shkodra

E priti të fejuarin për 14 vite. Historia e veçantë e

Një histori dashurie e komplikuar dhe me shumë vuajtje në fillimet në saj.  Meliha Muça, 86 vjeçe ka rrëfyer në emisionin e Mirela Milorit se si e priti të fejuarin e saj 98 vjeçarin Ismaili për 14 vite, dënimin e tij me vdekje nga regjimi por që iu ndryshuar dhe presionin e madh atë kohë nga prindërit dhe familjarët, pasi Ismaili u dënua me burg.  Por Meliha vendosi ta priste dhe siç tregon ajo, nëse nuk do mund të përfundonte me Ismailin, nuk do të fejohej e martohej me asnjë burrë tjetër në jetën e saj. Sot kanë dy fëmijë janë bërë gjyshër dhe stërgjyshër dhe ende vazhdojnë ta duan njëri-tjetrin, si ditën e parë kur janë njohur.

Historia si më poshtë: 

Mirela Milori: Si ndodhi njohja me bashkëshortin tuaj?

Meliha Muça: Ne na fejuan, unë isha në moshën 16 vjeç dhe ai ishte 4-5 vjet më i madh se unë. Na fejuan me shkuesi. Familjet na u kombinuan, një fejesë e bukur.

Mirela Milori: Në çfarë viti u fejuat?

Meliha Muça: Në vitet ’50. Ai vinte fshehurazi të tjerëve, se ishte opinioni atëherë, se dhe babain e kisha shumë fanatik. Erdhi koha të martoheshim, kishim dhe një javë, ndamë edhe ftesat, morëm dhe ushqimet të bënim dasmën. 10 ditë përpara thanë që është arrestuar. Në fakt mua nuk më thanë menjëherë. Çfarë ka që s’vjen Ismaili? Se ishte në Pukë. Më thanë që e kanë marrë për ta pyetur. Prit, prit, atë e mbajtën brenda, e futën në gjyq, pas 3 muajve e dënuan për vdekje, me pushkatim. Mua nuk më thanë.

Mirela Milori: Për çfarë akuze?

Meliha Muça: Për politikë! Në atë kohë, ata njerëz nuk e kanë lënë të ecte përpara. Një ditë prej ditësh, kishim një qiraxhi tek familja jonë dhe i thonë nënës: Pse nuk më ke thënë se e kanë dënuar Ismailin për vdekje? Mua më ra të fikët. Sa e mora vesh, unë nuk flija gjithë natën, rrija në dritare, kur do zbardhte drita dhe mos e pushkatojnë dhe dilja shikoja letrat mos i kishte dalë emri për pushkatim. Mbas 3 muajve thotë burri që i merrnin nga një nga dy dhe i pushkatonin. Ishin në një dhomë me këmbë dhe duar të lidhura. Me anë të miqve ia falën jetën, e dënuan 25 vjet. Pastaj më thanë mua çfarë do bësh? Mua më vinte keq, kur më thonin çfarë do bësh. Unë iu thosha jam destinuar për të dhe ai për mua, unë do të rri. Nëse kemi fat ai do dalë, nëse jo ai do shkojë në botë tjetër dhe unë do pres derisa të shkoj dhe unë.

Mirela Milori: Pra nuk e ndave? The do ta pres?

Meliha Muça: Po! Më thoshin njerëzit ti je e re, nuk ke asnjë defekt, asnjë gjë. Pse rri kështu? Unë do rri i thoja dhe mos ma përmendni më këtë punë.

Mirela Milori: Pse e more këtë vendim? Sa kohë kishe ti që e njohe atë? Sa zgjati fejesa?

Meliha Muça: Kishim një vit, një vit e gjysmë gati.

Më tej, Meliha tregon se e ka pritur Ismailin për 14 vite dhe ka kaluar mjaft sakrifica për ta takuar, madje ka shitur edhe gjakun e saj.

Meliha Muça: S’ishim shumë mirë ekonomikisht, shkoja fshehurazi shisja gjakun që të takoja Ismailin. Nuk i tregoja as babait, as vjehrrës. Babait i thoja do shkoj se do i paguajë lekët vjehrra, kurse vjehrrës i thoja do i paguajë babai lekët. Unë shkoja shisja çdo tre muaj gjak që të shkoja ta takoja. E kam pritur.

Mirela Milori: Sa vjet burg bëri?

Meliha Muça: 13 vjet burg!

Mirela Milori: 13 vjet burg e prite?

Meliha Muça: Kam pritur 14 vjet, kam ndenjur e fejuar!

Mirela Milori: Ke ndenjur 1 vit fejesë dhe 14 vite e prite!  / Tiranapost.al

https://youtu.be/i_wDD2N1Uvw