Aktualitet

E lë pa orë mësimi se e sheh si rivale, mësuesja denoncon drejtoreshën e shkollës

E lë pa orë mësimi se e sheh si rivale, mësuesja denoncon

Juliana Numani mësuese “Biologji-Kimie” prej 14 vitesh, aktualisht në shkollën e mesme “Kristaq Capa”, ka denoncuar në emisionin investigativ “Fiks Fare” drejtoreshën e kësaj shkolle se e lë me pak orë, me arsyen se ajo ka pikë më pak. Sipas denoncueses e gjitha kjo vjen për faktin se drejtoresha është në një profil me të dhe e sheh si rivale.

Gjatë emisionit u transmetua materiali audio i mbledhjes së mësuesve në shkollë, ku zonja Numani debaton me drejtoreshën për dosjen dhe pikët e saj. Ajo i kërkon drejtoreshës transparencë për veten dhe kolegët, por që drejtoresha nuk pranon të bëjë transparencë. Madje ajo nuk tregon as anëtarët e komisionit që kanë bërë pikëzimin e dosjeve.

Për rastin Emanuela Garuli, përgjegjëse e kurikulave pranë Zyrës Arsimore Vendore Berat, tha se nuk është bërë pikëzim dosjesh dhe se mësuesja do të qëndrojë në atë shkollë, pasi dosja e saj është e plotë./Tiranapost.al