• Shqip
  • English
  • E martë, 18 Qershor 2019
  • Shqip
  • English
  • Blogu i një vajze single, ose aty rrotull Të gjitha

    E kush nuk e do një të dashur fantazmë?!


    Nga Iva Tiço/ Në Shqipëri vitin që ka zgjedhje (apo kur diskutohet nëse ka) të gjithë merren me atë punë. Duan s’duan, njerëzit ato lajme kanë. Krejt ndryshe ndodh tek vendi përballë, në këtë që duhej të ishte muaji i fushatës elektorale për Parlamentin Evropian dhe gjysmën e bashkive. Italianët kanë pasur një dava të madhe për të zgjidhur: a ekziston apo jo i fejuari i ish-shoëgirl-it Pamela Prati? Për ata që nuk e dinë (shumë besoj, se ku të lënë këto lajmet tona të zbavitesh me gjëra të tilla!), ish-ylli i televizionit deri në vitet ’90, u rishfaq disa muaj më parë, në prag të të gjashtëdhjetave, duke rrëfyer se do të martohej me dikë pak më të vogël se ajo, se kishin adoptuar ndërkohë dy fëmijë, se ai ishte një bizesmen i pasur që kishte marrë dhe çmimin e Investitorit Italian më të suksesshëm në Shqipëri, kishin një vilë në Miami dhe se ajo më në fund po shijonte përrallën e saj me fund të lumtur. Intervista ekskluzive (të paguara mjaft mirë), kopertinë reviste duke zgjedhur fustanin e bardhë dhe pastaj vjen bomba: asnjë gjurmë nga i fejuari i saj i quajtur Mark Caltagirone. Gazetari i Canale 5 nuk përtoi të vinte dhe në Shqipëri e të bënte një kronikë “investigative”, që asnjë gazetar shqiptar nuk ka mundur të bëjë për dosjen “Tahiri” në Itali, për shembull. Që këtu pastaj të tjera intervista në studio (të paguara gjithashtu mijëra euro për këtë ekskluzive të Pratit) dhe historia nis të marrë formë e të zbulohet qartë. Për t’i rënë shkurt fare, Pamela bashkë me dy vajza që kanë një kompani PR-i, një e quajtur po Pamela dhe tjetra Eliana, dyshohet se kanë shpikur të fejuarin fantazmë, që të rikthejnë në vëmendje ish-yllin e famshëm, me shpresë që të marrë pjesë në Grande Fratello, të përfitojë paratë e intervistave, sepse qenka e mbytur në borxhe me vetëm 1500 euro në muaj pension (edhe komentuesve në Itali u duken shumë, por për një vajzë ekrani që do të duket e re si Pamela, janë thërrime) dhe pastaj ngjarja u ka dalë nga kontrolli dhe në këtë pikë akuzojnë njëra-tjetrën. Pamela thotë që fliste me dikë në telefon, se shkëmbente mesazhe, se është zemërthyer, e lënduar dhe e zhgënjyer, se e kanë tallur dhe i kanë prishur ëndrrën më të madhe, që të krijonte familje. Eliana, njëra prej vajzave, përpara saj ka rrëfyer një histori edhe më tronditëse akoma: se ajo është viktimë gjithashtu, ka qenë dhjetë vjet e lidhur me dikë vetëm në telefon, madje dhe është martuar me të (gjithmonë në telefon, me mesazhe) dhe se këtë histori dhe tallje me ndjenjat e saj ia ka stisur Pamela tjetër, kolegia. Pikërisht kjo Pamela tjetër ka pranuar ca gjëra, ca jo dhe në fund ka sqaruar se asnjë nga këta burra nuk ekziston! Janë të shpikur.

    “Kush arrin ta kuptojë këtë histori, duhet të ketë probleme mendore”, shkruante sot dikush në rrjet. Kishte marrë më shumë “like” sesa vetë intervista e Pamelës 2, vajzës së PR. Ndoshta mund të kem dhe unë ndonjë rondele mangut që kuptova dhe arrita ta shkruaj në 20 rreshta historinë që në televizionet italiane ka marrë me dhjetëra orë transmetime, nga më të paguarat ndonjëherë. Por ja që më pëlqen të shoh se si në sytë tanë zhvillohet një skenar që do e kishte zili edhe Hollivudi. E keni parasysh filmin “Her”, kur dikush bie në dashuri me një program kompjuteri që i flet në kokë?! Më ka trishtuar pafund ai film, aq sa nuk guxoj ta shoh më, ndonëse e di që po na vjen në prag. Më kujtohet mikesha ime vjet, kur nisi një lidhje në chat për muaj e muaj me radhë, derisa u takuan… Epo përfundimi qe se lidhja në chat qe shumë më e bukur, shumë më romantike, shumë më e thellë dhe shumë më afër pritshmërive për “princin e kaltër” sesa ajo në realitet. Mesa duket përfytyrimi, idetë e saj, kanë bërë të vetën: burri që kishte krijuar në kokë ishte ku e ku më i mirë sesa ai i vërteti.

    Eshtë e gjitha në kokë, pra. Dhe kjo nuk është diçka e re, por është e lashtë sa bota. Që nga antikiteti. A nuk e gdhendi vetë Pigmalioni statujën e të dashurës, siç ia donte shpirti dhe pastaj u kërkoi Zotave t’i jepnin jetë?! Me mijëra vjet më parë njerëzimi e paska ditur që nuk ka dashuri më të madhe sesa ajo që krijon në kokën tënde. Por për këtë sot pakkush flet. Rrjeti thjesht e ka bërë gjithçka më të thjeshtë, ka bërë të lehtë të biesh brenda me atë që ke krijuar në kokën tënde, por ka bërë të thjeshtë edhe demaskimin dhe poshtërimin përpara të tjerëve. Sepse ndonëse të gjithë rriskojnë të bëhen Pamela, Eliana apo Pigmalionë, të thurin në vetmi ëndrra për dashurinë ideale dhe të bien në dashuri me idenë, pakkush do ta pranonte me zë të lartë. Ndaj, ndoshta dhe kjo histori në vendin përballë ka ngjitur kaq shumë, sepse është përtej gossip-it televiziv, me të cilin ata ushqehen më shumë sesa me makarona. Eshtë një histori që flet për nevojën e dashurisë, për vetminë në shpirt, edhe pse njerëzit teknologjia mund të na i sjellë më afër dhe më shpejt. Eshtë historia që duan të dëgjojnë të gjithë, me një grua që ëndërron një princ të kaltër, që i ka të gjitha të mirat, por ka vetëm një mangësi: nuk ekziston!