SPORT

E konfirmon agjenti: Buffon pensionohet 44 vjeç, Dzeko e donte Interin por nuk ndihej gati

E konfirmon agjenti: Buffon pensionohet 44 vjeç, Dzeko e donte Interin

Gianluigi Buffon do të jetë në fushë edhe për dy vitet e ardhshme. I këtij mendimi është agjenti i gardianit të Juventusit, Silvano Martina, i cili për "Sportitalia" ka folur edhe rreth të ardhmes së sulmuesit të Romës, Edin Dzeko.

"Ishte vendimi i duhur për tu kthyer te Juventusi sepse ishte akoma konkurrues dhe i fortë. Unë mendoj se ka ende shanse për të luajtur këtë sezon dhe besoj se mund të luajë edhe për dy vite të tjera, pra deri në moshën 44 vjeçare. Kur ishte te Paris Saint Germain, unë e këshillova që të varë dorezat në gozhdë dhe t'i fokusohet trajnimit, por një gjë e tillë nuk u mor parasysh," tregoi fillimisht, Martina.

Sa i përket thashethemeve të një bashkimi të sulmuesit të Bosnjes, Dzeko me Interin, Martina tha se zikaltërit e donin, por nuk u përfill nga bomberi i Romës.

"Me të vërtetë Interi e donte atë, por ne duhej të prisnim deri në ditët e fundit të sezonit që ata të merrnin një vendim dhe Dzeko nuk ndihej gati për ta bërë atë. Ai do të ishte shumë i lumtur te Inter dhe është emocionuese të luash në Champions League. Interi mund të jetë skuadra më e afërt me Juventusin në garën për titullin e Seria A,” përfundoi agjenti. /XH.K