Art dhe Kulturë

E bija e Agollit, mesazh lamtumire për të atin

E bija e Agollit, mesazh lamtumire për të atin

Ka vetëm disa orë që ajo e përcolli të atin për në botën e përtejme. Mes dhimbjes, që është e natyrshme në këto raste, vajza e shkrimtarit Dritëro Agolli ka shkruar një mesazh për të atin, të cilin e ndau me ndjekësit e saj përmes një statusi në Facebook.

“Ati im Dritëro,

Ke shkruar aq shumë poezi për vdekjen , duke dashur të sfidoje ankthin prej saj . E mallkuara të mposhti; të mposhti fizikisht e përkohësisht.

Dritëroi po fle, dhe në ëndrrat e gjithkujt do shfaqet përherë si bardi Dritëro që kurrë vdekje nuk ka.

Ati im, nuk më ndodhesh pranë fizikisht , unë nuk të ledhatoj dot flokët e bardha e të bukura tanimë, unë nuk këmbej dot mendime dhe ide të mençura , por unë të lexoj, të ndjej,të kam të gjallë.

Më thoje dikur që ‘e di ti si thotë një i ditur?: Sa më larg distancohesh nga ndërtesat e larta , aq më të larta duken.’

Dhe ti Ati im je si ai monument i lartë që përherë do na shëmbëllesh edhe më i lartë.

Nuk është e lehtë për mua, vajzën, që përballë dashurisë së pakufi e pa kushte për Atin, të pranojë ligjet e natyrës e faktin që jeta është proces.

‘Mos vdis në dhomën e heshtur i shtrirë,

Është turp kaq shpejt të rrish e të vdesësh

Ne ëndërronim një vdekje pak më të mirë

Duke vdekur fytyrat tona t'i shihnim në pikën e vesës.’, gjëmon zëri i poetit në ‘Ëndërr e prerë.’

Ati im i shenjtë Dritëro lamtumirë.”